Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Fitore Pacolli, ka deklaruar se deri më tani mbi 200-300 vetura i kanë ndërruar targat e Serbisë në RKS.
“Janë konvertuar mbi 200 ose 300. Por, problemi është se nuk është mirë me fol për statistika dhe t’i publikojmë ato, sepse ne po e shohim që qytetarët që jetojnë në veri, kërcënohen çdo ditë dhe në momentin kur e kuptojnë që janë ndërruar targat, po i djegin veturat”, ka thënë tutje ajo në Debat Plus.
Sipas saj, veturat janë duke i djegur kur ka çështje politike pasi i konvenon presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, dhe ai e organizon këtë.
Gazetari i RTV Dukagjinit, Dibran Istrefi, ka thënë se problemi ka qenë se në kohën kur është kërkuar konvertimi i targave me muaj të tërë, janë konvertuar 8 apo 7 vetura dhe këto, siç ka thënë ai, janë djegur nga serbët.
Ndërsa, Pacolli ka thënë se tashmë nuk është situata kështu, pasi sipas saj tani situata ka ndryshuar plotësisht sepse deri në mars të këtij viti ka qenë shumë e mirë.
“Ka ndryshuar tani për shkak të zgjedhjeve në veri, për shkak të presionit, për shembull kur i djegën veturat e qytetarëve për me i bërë ata të bëjnë presion me na ndikuar neve për me u tërheqë, por ne nuk tërhiqemi në këso raste”, është shprehur Pacolli.