Kombet e Bashkuara paralajmëruan të premten se një numër i madh fëmijësh po vdesin në konfliktin e Sudanit, duke vënë në dukje raportet që tregojnë se shtatë fëmijë vriten ose plagosen çdo orë.
“Siç u frikësuam dhe siç paralajmërohej, situata në Sudan është bërë fatale për një numër të madh fëmijësh”, u tha gazetarëve në Gjenevë, James Elder, zëdhënës i agjencisë së OKB-së për fëmijë, UNICEF.
Ai tha se agjencia ka marrë raporte nga një partner i besuar – ende i pa verifikuar në mënyrë të pavarur nga OKB-ja- se 190 fëmijë janë vrarë dhe 1.700 janë plagosur vetëm në 11 ditët e para të konfliktit, që ka filluar më 15 prill.
Elder vuri në dukje se ata numra janë mbledhur nga institucionet shëndetësore në Kartum dhe rajonin e Darfurit.
Kjo do të thotë se mbulon vetëm fëmijët që arritën në institucionet e kujdesit shëndetësor në ato zona, tha ai, duke paralajmëruar se “realiteti ka të ngjarë të jetë shumë më i keq”.
Qindra njerëz janë vrarë dhe qindra mijëra janë larguar nga shtëpitë e tyre në Sudan që nga fillimi i betejave tri javë më parë midis forcave të shefit të ushtrisë, Abdel Fattah al-Burhan dhe Forcave të Reagimit të Shpejtë (RSF) të ish- zëvendësit të tij, Mohamed Hamdan Daglo
Palët kanë rënë dakord për një varg armëpushimesh të shkurtra, por asnjëra nuk është respektuar plotësisht dhe të premten sulmet ajrore dhe të shtënat me armë vazhduan të tronditin Kartumin për ditën e 21 me radhë.
Agjencia e OKB-së për refugjatët dënoi gjithashtu situatën e rëndë në Sudan, duke u kërkuar të gjitha vendeve që të përmbahen nga kthimi i shtetasve sudanezë në vend.
“UNHCR u kërkon të gjitha vendeve që t’i japin civilëve që ikin nga Sudani qasje jodiskriminuese në territoret e tyre”, u tha gazetarëve Elizabeth Tan, shefja e mbrojtjes ndërkombëtare brenda kësaj agjencie.
“Kjo vlen për shtetasit sudanezë, shtetasit e huaj, duke përfshirë refugjatët që po strehoheshin nga Sudani, personat pa shtetësi dhe ata që nuk posedojnë pasaporta ose dokumente të tjera identiteti”, tha ajo, shkruan Rel UNHCR tha se po përgatitet për një largim të 860.000 njerëzve nga Sudani në vendet fqinje, me më shumë se 113.000 njerëz që janë larguar tashmë nga vendi.
Qindra mijëra të tjerë janë zhvendosur brenda Sudanit.
“Ne u jemi mirënjohës të gjitha vendeve fqinje që i kanë lejuar ata të kërkojnë siguri”, tha Tan.
Duke treguar për paqëndrueshmërinë aktuale në Sudan, ajo tha se agjencia u bëri thirrje vendeve që “të pezullojnë nxjerrjen e vendimeve negative për kërkesat për azil të paraqitura nga shtetas sudanezë ose persona pa shtetësi që banonin zakonisht atje”.
Ajo theksoi se vendimet negative të azilit të dhëna më parë mund të kenë nevojë të rishqyrtohen.