Një vajzë 13-vjeçare ndodhet në terapi intensive prej dy javësh, me djegie të rënda në të gjithë trupin, pasi i vuri flakën vetes në përpjekje për të kopjuar një video TikTok-u.
Destini Crane, nga Oregoni i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka djegie të shkallës së tretë në qafë dhe në krahun e djathtë. Adoleshentja po mundohej të vizatonte në pasqyrë një formë me lëndë djegëse dhe pastaj t’i vinte flakën, por gjërat nuk shkuan sipas parashikimit.
Nëna e vajzës tregon: “Isha duke folur në telefon, kur dëgjova vajzën që bërtiste dhe më thërriste mua. Hapa derën e tualetit dhe pashë vetëm zjarr. Destini ishte përfshirë nga flakët, i gjithë tualeti ishte përfshirë nga flakët. E nxora jashtë, i hoqa bluzën që po digjej dhe thërrita ambulancën”.
13-vjeçarja nuk ka folur ende që nga momenti kur është shtruar në spital, në 13 maj, por një shishe alkooli që u gjet në tualet mendohet se ka qenë shkaku i incidentit të tmerrshëm.
“Dua ta sjell në vëmendje këtë që i ndodhi vajzës sime për të rritur sensibilizimin te njerëzit, të cilët duhet të kuptojnë se këto video janë të rrezikshmë për fëmijët, që duan t’i imitojnë”, tha nëna.
Edhe në vendin tonë, në fillim të këtij muaji, një 10-vjeçar nga Shkodra humbi jetën në përpjekje për të imituar një skenë vetëvrasjeje, që më pas do ta hidhte në TikTok.