Konfliktet e ndryshme që eskalojnë në kanosje serioze e përleshje brutale shumë shpesh ndodhin edhe në kafeteri e restorante, duke cenuar kështu sigurinë. Jo rrallëherë në raste të tilla përfshihen një numër i madh i njerëzve dhe për pasojë nevojitet ndërhyrja e Policisë.
Një rast i tillë ka ndodhur edhe në orët e para të mëngjesit të sotëm, në lokalin “Sfens Pub” në Mitrovicë, ku ka pasur përleshje masive në mes të klientëve që ndodheshin brenda.
Sinjalizuesi nga Veriu ka bërë me dije për Sinjalin se në këtë kafeteri, ku ishin rreth 90 persona, një numër goxha i madh i tyre janë kapur mes vete për motive akoma të panjohura.
Sipas informacioneve të para, të dyshuarit kanë sulmuar njëri-tjetrin me shishe të ndryshme qelqi, karrige e tavolina dhe për pasojë të gjithë klientët kanë lëshuar lokalin, duke u larguar si pasojë e frikës.
Gjashtë nga të dyshuarit, të cilët kanë pësuar lëndime gjatë rrahjes, janë identifikuar nga Policia dhe janë dërguar në spital për të marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor.
Lidhur me rastin, është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar nisjen e hetimeve ndaj tyre dhe zbardhjen e rrethanave në të cilat ka ndodhur rasti.