Kërkesa e Fondit Monetar Ndërkombëtar për të rritur normat e interesit ka ngjallur pajtime dhe mospajtime në vend. Disa ekonomistë mendojnë se rritja e interesit të kredive do të stoponte inflacionin e disa të tjerë konsiderojnë se kjo do ta ngufasë sektorin privat në Kosovë. Aktualisht normat e interesit të kredive në vend janë 6.5%.
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka kërkuar nga Banka Qendrore Evropiane (BQE) që të vazhdojë t’i rrisë normat e interesit deri në mes të vitit 2024, në përpjekje për të kontrolluar inflacionin në vendet e Bashkimit Evropian.
Por disa ekonomistë janë të pajtimit që të rriten këto norma në mënyrë që të ulet inflacioni e disa të tjerë e shohin si shqetësuese rritjen e normave të kredive.
Për ekonomistin, Arian Sahiti, kjo rritje do të ishte e domosdoshme.
“Kjo normalisht që ka impakt edhe te ne në Kosovë, sepse ne e ndjekim Euriborin. Kështu impakti ka me qenë tek ata të cilët do të marrin kredi të reja dhe ata që janë ekzistues. Në anën tjetër të masat e gjera të popullit impakti ka me qenë pozitiv, sepse stopohet sasia e madhe e parave në treg dhe kur nuk ka sasi të madhe të parave në treg, atëherë çmimet kanë tendencë të bien. Rrjedhimisht nëse produktet nuk shiten gjithsesi që do të bien çmimet”, tha ai për Radio Kosovën.
Por për ekspertin e Ekonomisë, Safet Gërxhaliu, thirrja për rritje të normave të kredive është shumë shqetësuese.
Ai tha për Radio Kosovën, se për sektorin privat kjo do të jetë sfidë e madhe.
“Në rend të parë duhet të kuptohet se në Kosovë përballë krizës nuk kemi seriozitet dhe po neglizhohen shumë procese. Në rend të dytë kërkesa e Fondit Monetar Ndërkombëtar drejtuar Bankën Qendrore Evropiane, ka qenë shumë shqetësuese, ku kërkohet me ngulm që të rriten kamatat në kredi që të luftohet inflacioni, ndërsa Kosova në këtë drejtim është para sfidave të shumta, sepse në një anë e kemi inflacioni që është shumë shqetësuese në anën tjetër e kemi Evropën e cila siç duket nuk do të mund t’i shpëtojë recesionit . Për sektorin privat do të jetë sfiduese e ardhmja, sepse sot në Kosovë kemi kamata bankare afër 7%, nëse vazhdohet në ketë drejtim, këto kamata do të kenë trend rritës dhe do të ketë një ngufatje të sektorit privat”, tha Gërxhaliu.
Norma mesatare e interesit në kredi në bankat komerciale, sipas Bankës Qendrore të Kosovës është 6.5 për qind.
Euribori ndërkaq është rritur brenda pak muajve nga 0.45 në 3.8%.