13 vjeçari K.K., i cili kreu një masakër në shkollën fillore “Vladislav Ribnikar” në Beograd, bëhet e ditur se përdorte Google për të kërkuar pothuajse çdo ditë vrasësit më masiv në botë, shkruan “Telegraf.rs”, transmeton Gazeta Enigma.
Ai ishte gjithashtu i kënaqur me El Chapo.
-U habitëm kur morëm vesh se kërkimi i tij i përditshëm kishte të bënte me atë se cilët janë vrasësit më masivë në mbarë botën. Si vranë, çfarë përdorën, cilët ishin viktimat e tyre…Ka kontrolluar shpesh edhe El Chapon duke kërkuar informacione të reja për të – thotë burimi i medias serbe.
Siç mësohet jozyrtarisht, djali ka parë filma dhe seriale që tregojnë vuajtjet e familjeve të të vrarëve.
K.K. planifikoi krimin për një muaj. Policia gjeti edhe dy shënime në tavolinën e tij. Në njërën është një hartë e lëvizjes nëpër shkollë dhe në tjetrën janë emrat e 16 fëmijëve. Në listën për likuidim kishte fëmijë që djali nuk i njihte. Dyshohet se i donte të vdekur sepse ishin më të mirë se ai në diçka.
Pas masakrës, thuhet se K.K., nuk u pendua. Ai ishte i ftohtë.
Atë të mërkurë, më 3 maj, ai erdhi në shkollë me dy pistoleta të babait të tij dhe 4 kokteje molotovi. Fillimisht qëlloi rojen, më pas tre vajza në sallë, më pas hyri në klasë dhe vrau pesë shokë të klasës, plagosi mësuesin e historisë dhe gjashtë nxënës.
Mësohet jozyrtarisht, se pas masakrës ai është hedhur nga dritarja dhe ka lajmëruar policinë.
Ai hyri në shkollë në orën 08:40 dhe thirri policinë dy minuta më vonë.
Ai qëlloi 57 të shtëna nga CZ99 ndaj viktimave.
Pas krimit është arrestuar edhe babai i tij V.R. Atij i është caktuar masa e paraburgimit.
Babai tha se arma e tij ishte në një kasafortë të koduar dhe se nuk e dinte se si e kishte marrë djali, bën të ditur burimi.
Policia ka marrë për ekspertizë edhe 5 armë të tjera, kompjuterë dhe sendet e djalit nga banesa ku jetonin.
Siç është bërë e ditur, aftësitë e gjuajtjes së K.K. janë marrë në poligonin e qitjes ku ka shkuar së bashku me të atin.
Hetimi është duke u zhvilluar edhe ndaj pronarit të këtij objekti, njoftohet tutje. /Gazeta Enigma