Publikimi i emrave të abuzuesve seksualë po cilësohet si metodë mesjetare dhe jo efektive

Publikimi i emrave të abuzuesve seksualë po cilësohet si metodë mesjetare dhe jo efektive

Krijimi i një regjistri publik me të dhënat e abuzuesve seksualë është e pamundur për kornizën ligjore të Kosovës, madje nga shoqëria civile dhe njohësit e çështjeve juridike thonë se është mënyrë primitive dhe jo efektive në trajtimin e këtyre rasteve.

Këshilltari i lartë në Qendrën për Ndihmë Juridike dhe Zhvillim Rajonal, Anton Nrecaj thotë se krijimi i një regjistri publik nuk është mënyra e duhur për t’i trajtuar abuzimet seksuale.

“Sa i përket pjesës dhe kërkesës e iniciativës që ka të bëjë me krijimin e një sistemit ku mund të publikohen emrat e personave të cilët kanë bërë vepra penale të abuzimeve dhe ngacmimeve seksuale, konsideroj që fillimisht është e pamundur, sepse ne nuk mund të kopjojmë sisteme të tjera, kornizën ligjore duhet t’ia adaptojmë mentalitetit të cilës jetojmë. Pastaj nëse një person është i akuzuar për një vepër penale për krime seksuale, ai i nënshtrohet një procesi gjyqësor dhe në bazën e saj ai e merr ndëshkimin. Prandaj të ekzistojë një listë e tillë është njëjtë si të linçohen personat qytetarët për një vepër të pahijshme, këto kohëra i takojnë kohërave të mesjetës ku personat të cilët kanë bërë vepra të pahijshme janë linçua dhe lëçit nga shoqëria për shkak se janë efekt i dëmshëm për shoqëri dhe infektojnë shoqërinë më imoralitet. Ne jetojmë në shekullin 21 dhe i nënshtrohemi standardeve evropiane dhe ndërkombëtare ku respektohen të drejtat e njeriut”. 

Ndërsa, sipas aktivistes Leonida Molliqaj, nga Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion (QIKA), kjo formë nuk është efektive, dhe po ashtu mund të pengojë në gjykimin e rastit.

“Diskutimi të ndryshme sesi duhet me u menaxhua ky problem apo sesi duhet me u zgjidh e me u parandalua. Një ndër këto ka qenë edhe peticioni për regjistrin publik ku do të vendoseshin emrat e të gjithë personave që dënohen për sulme seksuale. Përveç peticionit, është promovua ideja e publikimit të emrave edhe në qoftë se që nuk do të ishin pjesë e regjistrit. Arsyeja pse nuk e shoh si një prej mekanizmave i cili do të ndihmonte diskutimin apo zgjidhjen  çështjes së ngacmimeve seksuale janë dy, edhe qëndrimi im është parimor, që pavarësisht që e di që nisma ka pasë qëllim të mirë, mendoj që një formë e tillë e trajtimit të rastit përveç që nuk e ndihmon, mundet edhe me pengu atë. Për këtë i kam disa argumente, për shkak se mendoj në një lansimi i një regjistrit të tillë nuk ka tregua rezultate”.

Tutje, ajo thotë se  publikimi i regjistrave dërgon deri të linçimi i individit nga shoqëria. Prandaj, Molliqaj thotë se abuzuesit duhet të ndëshkohen nga mekanizmat ligjore, e jo nga një gjykim popullor.

“Të dhënat në Amerikë kanë tregu që nuk është forma e duhur për t’i trajtuar çështjet e sulmeve seksuale. Edhe ne vendet ku ka demokraci më të madhe nuk gjen zbatim kjo formë…”

Molliqaj thotë se një metodë e tillë do të ndikonte edhe në raportimin e këtyre rasteve, duke e cilësuar këtë formë anti-feministe.

Related Articles