Mungesa e hetimeve që çojnë në zgjidhjen e rasteve të dhunës, dënimet e ulëta nga Gjykatat, si dhe mosreagimi i duhur nga ana e Policisë, shpesh janë vlerësuar si disa nga faktorët që po ndikojnë në rritjen e numrit të rasteve të dhunës në familje. Gratë, si viktimat më të shpeshta frikësohen t’i denoncojnë bashkëshortët, çka i shtynë ata që ta përsërisin veprën e njëjtë.
Për një rast të tillë ka rrëfyer në Polici një grua nga Prishtina, e cila e denoncoi bashkëshortin me të cilin është e martuar që 17 vjet dhe kanë tre fëmijë.
Në dëshminë e saj të dhënë para hetuesve policorë thuhet se në këto vjet ka përjetuar dhunë fizike e psikike sistematikisht, për çka edhe më parë e ka denoncuar në Polici. Rasti i fundit që ka ndodhur dje e shtyu atë të kërkojë ndihmë, pasi burri sulmoi atë para syve të fëmijëve.
Sinjali mëson se në ndihmë tentuan t’i dalin viktimës edhe dy vajzat, por njëra prej tyre e pësoi, pasi i dyshuari ushtroi dhunë edhe ndaj saj. Përballë kësaj situate, ajo ia mësyu sërish stacionit policor me shenja dhune, me shpresën së do të përfundojnë telashet në familjen e saj.
Raportimi i viktimës e bëri Policinë të aktivizohet, me ç’rast i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në Polici, ku e ka mohuar kategorikisht ta ketë sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar caktimin e masës së ndalimit dhe inicimin e rastit për dy vepra penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Dhunë familje”.