Është zhvilluar dje derbi më i zjarrtë në Kosovë mes Gjilanit dhe Dritës.
Ky ballafaqim u mbyll me rezultatin e barabartë, 1-1. Golin për Dritës e realizoi Ron Broja në pjesën e parë, kurse Mevlan Zeka e barazoi nga penalltia, raporton Gazeta Enigma.
Kjo penallti e referuar nga Gramos Shala u diskutua shumë pas ndeshjes, pasi që kishte ankesa të shumta nga kampi ‘bardhekaltër’.
Në emisionin ‘Kampionët’ në Kanal 10 ishte i ftuar edhe trajneri i Feronikelit, Granit Begolli, i cili tha se skuadra e Gjilanit e meritoi të fitonte ndeshjen krejt.
“Nëse flasim për lojë, skuadra e Gjilanit e ka merituar fitoren. Kurse te rasti diskutabil, aty faull nuk ka. VAR-i e ka thirre gjyqtarin për prekjen me dorë. VAR-i nuk e thërret gjyqtarin për faull”, ka thënë Begolli.
Drita tashmë e ka humbur vendin e parë. “Intelektualtët” kanë 67 pikë, kurse Ballkani në vendin e parë ka mbledhur 69 pikë.
SC Gjilani zë vendin e tretë me 52 pikë të mbledhura, matematikisht i duhet edhe një pikë për t’i siguruar garat evropiane.
/Gazeta Enigma/