Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku i shoqëruar nga Lutfi Haziri dhe Avdullah Hoti është pritur nga zëvendës ndihmës sekretari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Matthew Palmer dhe Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett.
“Abdixhiku e falënderoi Palmer për përkrahjen e vazhdueshme ndaj Kosovës dhe theksoi se SHBA-ja është partneri më i fuqishëm në të gjithë proceset e konsolidimit dhe zhvillimit të shtetit tonë. Po ashtu, Abdixhiku e njoftoi Palmer për qëndrimet e LDK-së karshi situatës aktuale politike në vend si dhe qëndrimet e LDK-së për procesin e dialogut Kosovë – Serbi”, thuhet në njoftimin për media.
Ndërsa zëvendës ndihmës sekretari i SHBA-së, Palmer e falënderoi kryetarin Abdixhiku për konstruktivitetin që LDK-ja ka treguar në formimin e institucioneve.
Gjatë takimit u diskutua edhe për zhvillimin ekonomik dhe nevojën që SHBA-ja të ketë rol të fuqishëm në dialog.