Nuk janë të rralla rastet kur qytetarë të shumtë prezantohen rrejshëm si zyrtarë, me qëllimin për të qëruar hesape apo për të përfituar dobi pasurore nga personat me të cilët janë në telashe. Veprime të tilla përbëjnë vepër penale dhe dënohen me gjobe dhe burgim, por kjo siç duket nuk i ndalë ata të veprojnë kundërligjshëm.
Për një rast të tillë ka nisur hetimet Prokuroria Themelore në Mitrovicë, pas denoncimit të një qytetari, i cili ka kërkuar ndihmën e Policisë.
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se një person, i cili është prezantues si hetues i Policisë së Kosovës, i ka shkuar viktimës në lokal, ku ia ka lënë një ‘selam’ për një zyrtar policor dhe ka kërkuar informacione për të.
Sipas dëshmisë së viktimës, të dhënë para hetuesve policorë, i dyshuari (emër i njohur për redaksinë), ndër të tjera i ka thënë se nëse zyrtari policor ia ofron 2 mijë euro, atëherë nuk e shqetëson më.
Përballë kësaj situate, viktima ka njoftuar Policinë dhe ka shpjeguar në detaje atë që kishte ndodhur në lokalin e tij.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme për kapjen e të dyshuarit dhe inicimin e rastit ndaj tij.