Gazeta Enigma ka rapotuar se Policia e Kosovës aktualisht është duke zhvilluar tri operacione paralele në pista të ndryshme duke kryer bastisje në disa lokacione në Prishtinë, Podujevë e Vushtrri.
Bastisje janë duke u kryer edhe në disa lokacione lidhur me dyshime për keqpërdorime në Ndërmarrjen Publike Banesore.
Në këtë aksion janë bastisur shtëpia e ish-kryeshefit të NPB-së, Hajdar Hoxha dhe ish-aksionarëve të ndërmarrjes, Dren Kukaj, Vesel Makolli dhe Genc Sherifi.
Por, bastisje nuk ka pasur tek Ndërmarrja Publike Banesore në Prishtinë.
Kështu po thotë për Front Online kryeshefi i kësaj ndërmarrje, Artan Berisha.
Berisha tha se kjo çështje ka qenë nën hetime kur ky i fundit ka marrë detyrën e kryeshefit.
Ai thotë se aksioni i sotëm mund ta dëmtoj imazhin e NPB-së.
“Kur unë e kam marr detyrën kjo çështje ka qenë nën hetime dhe ne nuk e kemi shqyrtuar dhe nuk kemi ndërhyrë në atë çështje se është në dorën e Policisë. Mund të dëmtohet imazhi i ndërmarrjes me këto bastisje por nuk mund të ndërhyjmë në çështjet e drejtësisë”, u shpreh Berisha.
Ministri Xhelal Svecla ka reaguar sot pas aksioneve policore të cilat po zhvillohen nëpër Kosovë.
Ai ka thënë se bëhet fjalë për tri aksione të ndara, ku njëra po zhvillohet në Ndërmarrjen Publike Banesore.
Një gjë të tillë e ka mohuar, kryeshefi i NPB-së.
“Mund ta konfirmojë që në zyrat e ndërmarrjes nuk ka pasur bastisje”, thotë Berisha.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se sot janë ndaluar katër persona për 48 orë pas aksionit të zhvilluar kundër fajdesë në Prishtinë dhe Podujevë.
Në njoftim thuhet se ata janë të dyshuar për veprat penale “Fajde”, “Deyrim” dhe “Organizm i skemave piramidale dhe bixhoz të paligjshëm”.