Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendësministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, mirëpriti sot zëvendëspresidentin e Parlamentit Evropian, Rainer Wieland.
Kryeministri Kurti falënderoi Wieland për mbështetjen e vazhdueshme të Parlamentit Evropian në procesin integrues në Bashkimin Evropian dhe afirmimin e shtetit të Kosovës.
“Duke theksuar përkushtimin në prioritetet e qeverisë për punë dhe drejtësi, kryeministri përmendi rezultatet dhe progresin në dy vitet e qeverisjes, e të cilat janë evidentuar, përveç raporteve tjera ndërkombëtare edhe nga vetë raporti i Parlamentit Evropian për Kosovën, që u publikua së fundmi.”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, zëvendëspresidenti Wieland nënvizoi progresin e dukshëm të Kosovës krahasuar me rajonin për të cilin tha se nuk kalon pa u vërejtur.
Në takim u bisedua edhe për bashkëpunimin rajonal, integrimin ekonomik të rajonit dhe për raportet fqinjësore duke përfshirë normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
“Në lidhje me këtë të fundit, kryeministri tha se Marrëveshja Bazike e 27 shkurtit në Bruksel dhe Aneksi i saj i 18 marsit në Ohër, duhet të zbatohen shpejt, në tërësi dhe pa kushtëzime.”, njofton ZKM-ja.