“I kom harxhu paret e babës, e s’pi harxhoj t’ministrisë” Kush është Astrit Haraqija që u arrestua dje?

“I kom harxhu paret e babës, e s’pi harxhoj t’ministrisë” Kush është Astrit Haraqija që u arrestua dje?

Policia e Kosovës ka arrestuar dje ish-ministrin e Kulturës nga radhët e Qeverisë së LDK-së, Astrit Haraqija.

Arrestimin e tij e konfirmoi për lajmi.net edhe avokati mbrojtës, Korab Bokshi.

Haraqija i ka mohuar akuzat, duke pretenduar se nuk ka lidhje kriminale me të arrestuarit e tjerë dhe se në banesën e tij nuk është gjetur asgjë e paligjshme, ndërsa paratë e sekuestruara janë kursime familjare

Ish-ministri Haraqija është arrestuar në kuadër të një hetimi të bërë në operacionin e koduar “Heshtja”.

Në këtë operacion janë arrestuar gjashtë persona, ku Policia ka sekuestruar hiç më pak se 1.6 kilogramë kokainë, armë, vetura luksoze, ora të shtrenjta e para të gatshme.

Po ashtu është raportuar për sekuestrimin e pasurisë në vlerë rreth 301 mijë euro.

Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë arrestuar dhe janë dërguar në ndalim policor për 48 orë.

Por kush është Astrit Haraqija?

Astrit Haraqija është politikan kosovar, i njohur kryesisht si ish-ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Qeverinë e Kosovës (2004–2008). Ai e ka nisur karrierën në radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe më pas është bërë figurë e njohur edhe për një sërë procesesh gjyqësore dhe polemikash publike.

Haraqija ka përfunduar Fakultetin Juridik dhe u angazhua herët në politikë, duke u emëruar në vitin 1996 udhëheqës i Forumit të Rinisë së LDK-së në Gjakovë.

Nga marsi i vitit 2002 deri në nëntor të vitit 2004, ai shërbeu si shef ekzekutiv i Komunës së Gjakovës. Në vitin 2007 garoi për kryetar të Gjakovës, por humbi në balotazh.

Ministër i Kulturës (2004–2008). Ai udhëhoqi Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit si kuadër i LDK-së. Pas fërkimeve me udhëheqësin e LDK-së nën Fatmir Sejdiun, ai u afrua me fraksionin “Lista dr. Ibrahim Rugova” dhe në vitin 2011 u emërua zëvendësministër i Financave.

Proceset gjyqësore dhe polemikat

Në vitin 2008, Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY) e akuzoi për përbuzje të gjykatës, nën pretendimet se kishte tentuar të ndikonte te një dëshmitar i mbrojtur në rastin kundër Ramush Haradinajt. Fillimisht u dënua me pesë muaj burgim, por në korrik 2009 Dhoma e Apelit e rrëzoi dënimin dhe e shpalli të pafajshëm.

Ai ishte i akuzuar së bashku me Ukë Rugovën dhe persona të tjerë për krim të organizuar dhe kontrabandim me migrantë lidhur me pajisjen e kundërligjshme me viza Schengen. Gjykata Themelore në Prishtinë e liroi nga akuzat në mars 2023, vendim që u vërtetua nga Gjykata e Apelit në nëntor 2025.

Gjatë karrierës së tij ka pasur edhe hetime për keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë mandatit si ministër, lëndë që u mbyll për shkak të parashkrimit në vitin 2017.

Astrit Haraqija në fakt mbahet mend edhe për një deklarim që e pati bërë.

Ai hapur kishte deklaruar se nuk brengoset për shpenzimin e parave të shtetit.

“I kom harxhu paret e babës, e s’pi harxhoj t’ministrisë”.

Kjo deklaratë ka qenë bërë prej tij gjatë kohës sa shërbente si ministër në Qeverinë e Kosovës dhe është përdorur shpesh në opinionin publik për qasjen e tij ndaj shpenzimeve apo funksionit publik.

Madje Haraqija është nga njerëzit më aktiv të LDK-së për kritika. Ai së fundi kritika pati edhe ndaj Përparim Ramës që synonte drejtimin e LDK-së./Lajmi.net/

Related Articles