“Praktikantë të përhershëm në premtime” – Zemaj godet Qeverinë 534 mjekë të papunë, 91 prej tyre specialistë

“Praktikantë të përhershëm në premtime” – Zemaj godet Qeverinë 534 mjekë të papunë, 91 prej tyre specialistë

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka kritikuar ashpër Qeverinë lidhur me pretendimet për punësimin e mjekëve të kthyer nga jashtë vendit, duke akuzuar ekzekutivin se po e paraqet licencimin e mjekëve si punësim në institucionet publike shëndetësore, raporton Gazeta Sinjali.

Ish-ministri i Shëndetësisë, përmes një reagimi publik, ka deklaruar se qeveritarët nuk po bëjnë dallimin ndërmjet procedurës administrative të licencimit dhe punësimit të rregullt në sistemin publik shëndetësor.

“Një qeveri që nuk bën dallimin ndërmjet licencimit dhe punësimit të mjekëve në sistemin publik shëndetësor, po përpiqet ta paraqesë një proces administrativ si rezultat të punësimit. Çfarë të themi!!! Praktikantë të përhershëm në premtime, por premtimet nuk janë rezultate”, ka shkruar Zemaj.

Sipas tij, në Kosovë aktualisht figurojnë 534 mjekë të papunë, prej të cilëve 91 janë specialistë.

Zemaj ka kundërshtuar edhe pretendimet për punësimin e 171 mjekëve të kthyer nga jashtë gjatë qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje.

“534 mjekë figurojnë të papunë në Kosovë. 91 mjekë specialistë janë të papunë. Ndërsa, sa u përket mjekëve të kthyer nga jashtë dhe të punësuar me kontrata të rregullta në institucionet publike shëndetësore gjatë qeverisjes së VV-së, jo 171, por as një numër dyshifror nuk po arrijnë ta dëshmojnë”, ka deklaruar ai.

Përmes këtij reagimi, deputeti opozitar ka kërkuar që rezultatet e Qeverisë në sektorin e shëndetësisë të maten me numrin e mjekëve të punësuar realisht, e jo me procedurat e licencimit.

Shifrat e paraqitura nga Zemaj janë pretendime të tij dhe nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur në këtë raportim.

Related Articles