Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, biznese e institucione financiare që po shkaktojnë humbje e pasiguri. Hajnat në të shumtën e rasteve arrijnë që të ikin nga duart e organeve të rendit, por ka të atillë që kapen pas veprimeve hetimore të Policisë.
Të njëjtin fat e pati edhe një 31-vjeçar në Suharekë, i cili u arrestua së fundi pasi dyshohet se kreu një vjedhje në fshatin Gjinoc.
Sinjali mëson se ai dyshohet që ka vjedhur një dele, të cilën më pas e kishte prerë dhe e kishte futur në frigoriferin e tij.
Gjatë intervistimit në Polici, i dyshuari ka pranuar se ka kryer veprën për të cilën dyshohet, teksa në një kosh plehrash afër shtëpisë së tij është gjetur edhe lëkura e rrjepur e kafshës.
Me urdhër të prokurorit, ai do të hetohet për veprën penale ‘Vjedhje’ dhe të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit policor.