Dita e shtunë ishte e mbushur me plot incidente gjithandej vendit. Therje me thikë, plagosje e të shtëna me armë, janë vetëm disa nga rastet që kanë ndodhur në kryeqytet e qytete të tjera.
Përveç në Prishtinë, mbrëmë ka pasur një rast të tentim vrasjes edhe në fshatin Suhogërlla të Istogut. Tre persona kanë mbetur të lënduar, pasi janë përfshirë në një rrahje brutale.
Burimete Sinjalit nga Emergjenca në Spitalin e Pejës kanë bërë me dije se të lënduarit janë personat e dyshuar që janë përleshur me mjete të forta dhe për pasojë kanë marrë lëndime të rënda trupore.
Sinjali mëson se bëhet fjalë për Burim dhe Besnik Seferaj, vëllezër dhe i dyshuari tjetër Nexhmedin Delijaj. Ky i fundit tashmë ndodhet në ndalim policor, ndërsa dy të dyshuarit Seferaj po ruhen nga Policia në spital, ku po marrin trajtim mjekësor.
Sipas informacioneve të para, akoma nuk është konfirmuar se cili është motivi që i ka shtyrë të dyshuarit të futen në sherr me njëri-tjetrin dhe të përfundojnë në pranga të Policisë.
Posa rasti është denoncuar, njësitet policore kanë intervenuar në vendin e ngjarjes, ku janë kryer ekzaminimet e nevojshme.
Me të përfunduar procedurat, Prokurori i Shtetit ka lëshuar urdhër për ndalimin e të dyshuarve dhe inicimin e rastit në drejtim të dy veprave penale “Vrasje e rëndë në tentativë” dhe “Lëndim i rëndë trupor”.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.