Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka thënë se që nga koha kur është emëruar ministër në Qeverinë e Kosovës, djali i tij është ndaluar në kufi nga BIA serbe nga katër orë.
Për këtë, ai ka pasur kritika ndaj Serbisë për sjelljet që ai i quan hakmarrëse. Ai tha se pas këtyre zhvillimeve, djali i tij është detyruar që t’i ndalojë studimet përkohësisht.
Po ashtu, Rashiq në RTV Dukagjini theksoi se pjesëtarët e BIA-s ia marrin telefonin djalit të tij. Këto sjellje ai po i konsideron si shantazh karshi tij.
“Shantazhet e kanë kaluar një nivel tjetër, djali im ka studiuar në Nish, vitin e dytë të ekonomisë. Prej që jam bërë ministër, çdoherë që kalon atje, 4 orë e mbajnë BIA në kufi, kur shkon dhe kur kthehet. Normalisht, djali i ka ndërprerë për momentit, kur e ndalin ia marrin telefonit, 4 orë pritni dhe nuk dini çfarë po ndodh me djalin tuaj, nuk është lehtë. Ky është çmimi që duhet të paguhet kur merresh me këta njerëz”, u shpreh Rashiq.