Kryetarja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, ka thënë se nuk dihet saktë se kur do të jetë gati Ligji për Sigurime Shëndetësore.
Ajo tha se Ligji për Sigurime Shëndetësore duhet të ketë një vlerësim të saktë e kosto të saktë.
“Nuk mund të jap datë të saktë sot. Ka pasur angazhim që deri në fund të këtij mandati ta kemi të përgatitur Ligjin për sigurime Shëndetësore”, është shprehur Kusari – Lila në Rubikon në Klan Kosova.
Tutje, ajo tha se sigurimet shëndetësore dhe skemat pensionale janë baza të politikave sociale dhe të politikave të cilat e mbajnë apo e rrëzojnë një qeveri.
“Është një nga reformat kryesore me të cilën do të identifikohet një sukses i një qeverie”, tha ajo.