Ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq thotë se me rastin e ngritjes së gatishmërisë luftarake të Ushtrisë Serbe, se Forcat e Armatosura janë dislokuar në pozicione drejt kufirit të Kosovës.
“Serbia nuk do të lejojë një stuhi tjetër apo një 17 mars tjetër dhe do të gjejë përgjigje adekuate, në radhë të parë politike, dhe nuk përjashtoj ndonjë përgjigje tjetër që do të jetë adekuate ndaj rrezikut”, tha Vuçeviq.
Millosh Vuçeviq, me rastin e ngritjes së gatishmërisë luftarake të ushtrisë serbe për shkak të situatës në Kosovë, tha se pas skenave dramatike në Kosovë dhe përkeqësimit drastik të situatës së sigurisë dhe vazhdimit të drejtpërdrejtë “të terrorit të institucionet nga Prishtina për komunitetin serb, mbi të gjitha për serbët në veri”, Presidenti i Republikës në cilësinë e komandantit të përgjithshëm dha urdhër për ngritjen e nivelit të gatishmërisë luftarake në nivelin më të lartë.
“Kjo do të thotë se pak para orës 14:00, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë ka lëshuar urdhër të mëtejshëm që njësitë e Forcave të Armatosura të Serbisë të zënë pozicione të caktuara që ishin të përcaktuara në përputhje me planet tona të mbrojtjes, planet strategjike e më tej edhe me veprimet operative dhe taktike të Forcave të Armatosura të Serbisë, të gjitha me qëllim të mbrojtjes së sovranitetit të Republikës së Serbisë dhe qytetarëve të saj”, tha Vuçeviq.
“Ushtria është dislokuar në pozicione drejt vijës administrative”
Sipas deklaratës, Ushtria Serbe është e dislokuar në pozicionet që janë në vijën kufitare me Kosovën dhe ka zënw pozitat e saj, të cilat në dokumentet ushtarake janë të përcaktuara si pozicionet e Ushtrisë Serbe në situata të tilla.
“Nga mëngjesi i sotëm me të vërtetë gjithçka shkoi keq, për fat të keq, ajo që Presidenti i Republikës tha dhe paralajmëroi ditët dhe javët e kaluara se Kurti nuk do të ndalet dhe do të vazhdojë të kryejë aktivitete që synojnë rrezikimin e mëtejmë të komunitetit serb”, tha Vuçeviq.