Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporë, Donika Gërvalla, ka zhvilluar sot një takim virtual me homologen e saj estoneze, ministren Eva-Maria Liimets, raporton Gazeta Enigma.
“Gërvalla ka falënderuar ministren Liimets, për bashkëpunimin dhe përkrahjen që Estonia i ka ofruar Kosovës në sfera të ndryshme.
Të dy palët kanë vlerësuar se raportet mes të dyja vendeve janë shumë të mira dhe kanë konsideruar që duhet të thellohet bashkëpunimi bilateral dhe shkëmbimi i përvojave”, thuhet në njoftim.
Tutje, Gërvalla ka njoftuar homologen e saj me prioritetet e Qeverisë së Kosovës.
“Prioritet i Qeverisë sonë është forcimi i sundimit të rendit dhe ligjit, sigurimi i vendeve të reja të punës, reformat në ekonomi, arsim e shëndetësi”, ka nënvizuar ndër të tjera ajo.
Edhe ministrja e Punëve të Jashtme e Estonisë ka ritheksuar qëndrim mbështetës të shtetit të saj karshi Kosovës. Sipas saj, Estonia do ta përkrah rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së.