Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka kujtuar fëmijët e vrarë dhe të zhdukur gjatë luftës në takimin që pati me Rektorin e UP-së, Qerim Qerimi, stafin dhe studentët e angazhuar në projektin për memorialin e dedikuar atyre.
Kurti tha se krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit e gjenocidi nuk janë të kaluara dhe sipas tij, plagët nga to ende janë të njoma.
“Ai theksoi se veçanërisht vrasjet e fëmijëve dhe shtatëzënave gjatë luftës janë gjenocid i kryer nga Serbia, krim ndaj brezave të ardhshëm, që nuk mund të harrohet e as të falet”, thuhet në njoftim.
Tutje, në këtë takim u fol edhe për hartimin e dokumentit narrativ mbi memorialin për fëmijët e vrarë dhe të zhdukur gjatë luftës në Kosovës.
“U theksua se pas hartimit të dokumentit, do të bëhet shpallja e konkursit ndërkombëtar për projektin e memorialit të fëmijëve. Për prindërit, familjarët dhe dëshmitarët, Qeveria e Republikës së Kosovës ka hapur linjën telefonike: 046 222 006, si dhe e-mail adresën [email protected], ku mund të kontaktohet ekipet për të shkuar te familjet dhe për t’u inkuadruar në procesin e konsultimeve”, thuhet në njoftimin e kryeministrisë.