Iniciativa e kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj për rrëzimin e Qeverisë Kuri përmes një mocioni mosbesimi nga nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri po shihet vetëm se kërkesë politike por vështirë e realizueshme.
Ai thotë se qeverisja është stabile dhe se mundësitë politike për ta rrëzuar nuk janë.
“Kërkesa iniciativa si do që të quani e AAK-së është politike dhe nuk ka të bëjë me koordinim, ka të bëjë me mundësi politike. Po s’ka mundësi politike sot sepse qeverisjen e ke stabile”, ka thënë Haziri në Tëvë 1.
I pyetur nëse sheh mundësi për zgjedhje të reja ai tha se ato mund të shkaktohen në çdo moment nga kryeministri.
Ai madje ka kujtuar veprimin e ish-kryeministrit Haradinaj i cili kishte dhënë dorëheqje pas mbledhjes së Qeverisë. Por Haziri thotë se situata aktuale është shumë më keq se në atë kohë sa i përket raporteve me partnerët.
“Zgjedhjet mund të shkaktohen sonte nga kryeministri në çdo kohë. Kryeministri Haradinaj ka dhënë dorëheqje mas mbledhjes së rregullt të Qeverisë, e ka pa situatën e ka vlerësimin tij dhe e ka qu vendin në zgjedhje. Situata aktuale është 100 herë më rëndune se atëherë”, tha Haziri.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka kërkuar që të iniciohet mocion mosbesimi ndaj Qeverisë së Kosovës.