Ky është polici i suspenduar që dyshohet se rrahu një grua në Prizren

Ky është polici i suspenduar që dyshohet se rrahu një grua në Prizren

U raportua pak më parë për suspendimin e një zyrtari policor, i cili dyshohet se është përfshirë në një incident që ka ndodhur mbrëmë në rrugën “Jusuf Gërvalla” në Prizren. I njëjti po dyshohet se në rrethana akoma të panjohura, e ka sulmuar fizikisht një 32-vjeçare, teksa po qëndronin të dy në një lokal.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije ekskluzivisht për Sinjalin se bëhet fjalë për Bilall Guraziu, zyrtar policor në pikën kufitare në Vërmicë.

Sinjali mëson se polici i dyshuar ka qenë në ndikimin e alkoolit kur është përfshirë në përleshje, ku për pasojë i ka shkaktuar lëndime trupore viktimës, e cila po ashtu ka qenë e dehur, gjatë kohës sa kanë qenë së bashku.

Posa rasti është denoncuar në Polici, në vendin e ngjarjes ka dalë edhe Inspektorati Policor i Kosovës, me ç’rast pas marrjes së informacioneve të marra kanë rekomanduar suspendimin e zyrtarit policor në kohëzgjatje prej 72 orësh.

Të njëjtat burime thonë se zyrtari policor që po dyshohet për këtë rast fillimisht është ndaluar për disa orë në stacion policor e më pas është liruar me urdhër të Prokurorit të Shtetit.

Ndaj tij, kanë nisur hetimet në drejtim të veprës penale “Lëndim i lehtë trupor”.

Sinjali do të iu mbajë të informuar me detajet e reja.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Related Articles