Mosmarrëveshjet për motive të ndryshme, e që shpeshherë dalin të jenë banale bëhen mollë sherri e kërcënimeve e përleshjeve mes të rinjve në vendin tonë. Për pasojë, konfliktet jo rrallëherë eskalojnë edhe në rrahje brutale, për çka nevojitet ndërhyja e Policisë. Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë në rrugën “Skenderbeu” në Gjakovë.
Këtë herë në rrahje janë përfshirë dy persona, që dyshohet se u kapën për shkak të një mosmarrëveshje lidhur me një veturë. Por ajo që nuk është fort e zakonshme është se palët vendosën të shkojnë vet në Polici.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se posa dy të dyshuarit arritën në stacion, akoma pa u futur brenda, debati verbal kaloi në dhunë fizike, ashtu që njëri sulmoi tjetrin dhe e kërcënoi se do ta pësojë keq.
Zyrtarët policorë intervenuan menjëherë, me ç’rast të dyshuarit u shoqëruan në stacion policor, ku u intervistuan lidhur me atë që kishte ndodhur.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar caktimin e masës së ndalimit ndaj të dyshuarit dhe inicimin e rastit për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.