Pak minuta më parë,Gabriel Escobar e Mirosllav Lajçak kanë nisur një takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Ndërsa gjatë ditës së nesërme qysh herët në mëngjes ata do të zhvillojnë takim me presidenten e vendit, Vjosa Osmani.
Takimi pritet të nis nga ora 09:45 minuta.
‘’Në orën 09:45, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pret në takim Përfaqësuesin Special të BE-së për Dialog, Miroslav Lajčák, si dhe të dërguarin e posaçëm për Ballkanin Perëndimor të SHBA-ve, Gabriel Escobar’’ thuhet në njoftim.
Prej 26 majit, serbët lokalë të komunat veriore – Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – janë duke protestuar për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale.
Më 29 maj, situata është përshkallëzuar në Zveçan, pas përplasjes së protestuesve serbë me pjesëtarë të KFOR-it. Për pasojë janë plagosur 30 pjesëtarë të forcës paqeruajtës, si dhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës. Gjatë protestave janë dëmtuar dhe djegur automjete të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe mediave.
Vetë shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, e ka dënuar rëndë dhunën ndaj pjesëtarëve të KFOR-it. Dhuna e ka nxitur NATO-n që të angazhojë 700 trupa shtesë në Kosovë, përveç 4.000 trupave që veçse janë në vendin tonë.
Faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje të vazhdueshme për marrjen e hapave drejt uljes së tensioneve.Në mesin e kërkesave janë tërheqja e kryetarëve nga ndërtesat komunale dhe pezullimi i operacioneve policore afër ndërtesave në veri.
Kurse, disa diplomatë kanë kërkuar edhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja në atë pjesë të vendit. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kanë dhënë shenja se mund të ndodhë diçka e tillë, duke respektuar ligjet e Kosovës.
Sa i përket Serbisë, faktori ndërkombëtar ka kërkuar nga ky shtet që të ulë gjendjen e gatishmërisë ushtarake, dhe që të ndihmojë në uljen e tensioneve në mesin e protestuesve serbë në veri.
Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësim të BE-së, i kanë nisur negociatat për normalizim të marrëdhënieve, më 2011.Palët i kanë nënshkruar disa marrëveshje, por kryesisht nga Serbia nuk janë zbatuar.