Besim Aliu nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar mot të paqëndrueshëm deri në mesin e muajit qershor.
Sipas Aliut, pasditet do të vazhdojnë të jenë me shi, ndërsa vende-vende do të ketë edhe breshër.
“Nuk do të ketë ndryshime në ditët e fundit. Do të ketë intervale me diell paradite, ndërsa pasdite do të ketë vranësia konvektive, ku vende-vende do të shoqërohet me shi. Në disa territore të vogla, mund të ketë edhe breshër”, ka thënë ai në emisionin “SOT” të KTV-së të enjten.
Gjatë kësaj periudhe, sipas tij, temperaturat minimale do të lëvizin nga 10 deri më 12 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale nga 24 deri më 26.
Nga 17 qershori, moti pritet të stabilizohet.
“Presim që pas datës 17-18 të këtij muaji, të kemi stabilizim të troposferës dhe reshjet të jenë të kufizuara. Deri më 17 qershor, pasditet do të jenë të paqëndrueshme pas orës 12:00”, ka thënë Aliu.
Aliu ka theksuar se gjatë këtij viti ka pasur reshje enorme, ndërsa pritet që gjatë muajit korrik dhe gusht të ketë deficit të reshjeve.
“Këto fenomene ndodhin në 3-4 vjet, tash edhe më shpesh për shkak të ndryshimeve klimatik”, ka thënë Aliu nga IHMK-ja.