Dy shpërthime të ndara në dy autobusë transportues në Kabul kanë lënë të vdekur së paku 12 civilë, thanë të mërkurën zyrtarët afganë të sigurisë. Këto sulme janë pjesë e një vale të dhunës së ditëve të fundit në kohën kur forcat e huaja po tërhiqen nga vendi i rrënuar nga lufta e gjatë, raporton Gazeta Enigma.
Të dyja sulmet ndodhën të martën në mbrëmje në pjesët perëndimore të kryeqytetit afgan, ku banon komuniteti shiit, pakicë fetare që në Afganistan është cak i grupeve si ISIS-i, thanë zyrtarët.
Ferdaws Faramarz, zëdhënës i policisë në Kabul, tha se të dy autobusët po bartnin udhëtarë në kohën e shpërthimeve. Përpos 12 të vdekurve, 10 persona kanë mbetur të lënduar, ndërsa policia i ka nisur hetimet për këtë rast, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Enigma.
Bombat e vendosura në rrugë dhe bombat magnetike, të vendosura nën vetura, në Afganistan muajve të fundit janë përdorur kundër pjesëtarëve të forcave të sigurisë, gjykatësve, zyrtarëve qeveritarë, aktivistëve të shoqërisë civile dhe gazetarëve.
Asnjë grup ende nuk e ka marrë përgjegjësinë për asnjërin nga sulmet në dy autobusët. Dhuna në Afganistan është shtuar ndjeshëm që nga koha kur Shtetet e Bashkuara njoftuan se do t’i tërheqin të gjitha trupat nga ky shtet deri më 11 shtator./Gazeta Enigma/