Gjykata e Tiranes ka vendosur arrest me burg për Nikollë Sherrnikun, njeriun e Ervis Martinaj i akuzuar për krijim të kushteve për të kryer atentatin me armë në “Don Bosko” ku mbeti e vrarë Mimoza Paja.
Lajmi konfirmohet nga gazetarja Klodiana Lala për News24.
Nga hetimet ka rezultuar se Sherrniku është personi që i dorëzoi ekzekutorëve targën e automjetit BMW seria 5, që dyshohet se u përdor në krim dhe më pas u gjet e djegur. Targa rezulton të jetë marrë në Gjermani nga Sherrniku, gjë që është konfirmuar përmes letër porosisë së ardhur nga autoritetet gjermane dhe dëshmisë së një shqiptari që ka shpjeguar se Sherrniku ka marrë 3 targa në Gjermani.
Këto targa sipas prokurorisë ai i ka ruajtur për t’i përdorur më pas në ngjarje kriminale dhe për këtë shkak ai dyshohet për veprën penale të “krijimit të kushteve për kryerjen e vrasje”.
Vetë ai ka refuzuar të japë shpjegime se cilët janë personat që ai u dorëzoi targën.
Sherrniku është vetëdorëzuar në dhjetor të 2020, pasi akuzohet se i ka dhënë një automjet Brilant Martinajt, i cili në atë kohë u akuzua për vrasjen e efektivit të policisë Xhulio Prela. Një muaj pasi Brilant Martinaj u ekzekutua në atentatin e mbikalimit të Fushë-Krujës bashkë me dy miqtë e tij, Besmir Hoxha e Dikler Vata, Nikoll Sherrniku u arrestua teksa qarkullonte me municion luftarak dhe automjet të blinduar, ndërsa dyshohet se ishte nisur për të kryer një atentat.
Në atë kohë mbreti i lojërave të fatit, Ervis Martinaj ishte zhdukur pa gjurmë dhe edhe sot fati i tij mbetet mister. Sherrniku është një prej njerëzve më të besuar të tij dhe lidhja e tij me ngjarjen e Don Boskos, dëshmon sipas policisë se kjo ngjarje është kryer në shenjë hakmarrjeje ndaj atentateve të vazhdueshme të ndodhura në Tiranë, Fushë-Krujë e Lezhë ku në shënjestër ishin njerëzit më të besuar të Ervis Martinajt.