Ditën e sotme ka mbërritur në Shqipëri trupi i pajetë i Alfons Kolës, i cili u vra me thikë nga bashkatdhetari i tij Petrit Gega 52 vjeç, 10 ditë më parë në Breshia të Italisë.
Ndërkohë ditën e nesërme, 11 qershor, do të zhvillohet funeral i viktimës. Ceremonia mortore do të bëhet në Kallmet të Vogël të Lezhës, në shtëpinë ku është rritur dhe ka jetuar 33-vjeçari fatkeq. Kujtojmë se viktima dhe autori ishin të dy nga fshati Kallmet i Vogël i Lezhës.
Bëhet e ditur se familjet kishin pasur raporte të mira dhe shkaqet e kësaj ngjarjeje të rëndë mbeten ende të paqarta. 52-vjeçari e goditi të riun disa herë me thikë buke dhe e la të gjakosur në mes të rrugës. 33-vjeçari u transportua me urgjencë në spital, por pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve nuk arriti t’i mbijetonte plagëve dhe ndërroi jetë.
Ngjarja e rëndë ndodhi jashtë ambienteve të një lokali në Calcinato të Brescia-s, nën sytë e dëshmitarëve të shumtë.
Autori i vrasjes ka dhënë dëshminë etij para hetuesve italianë. Gega, i cili u arrestua pak kohë pas vrasjes, mësohet se ka dhënë versionin e tij të fakteve, megjithatë mediat italiane shkruajnë se detajet janë të rezervuara.
“Bëhet fjalë për një çështje delicate. Dëgjoj zëra, shoh djallin. Dua të flas me një ekzorcist”, mësohet të ketë thënë autori.