Jurgen Klopp ka zbuluar se në të kaluarën ka qenë më shumë në anën e Barcelonës në përballjet ndaj Real Madridit, ndërsa skuadrën katalanase e sheh si favorite për El Clasicon e radhës.
Ish-trajneri i Liverpoolit ka treguar se këtë supersfidë e ka ndjekur gjithmonë me interes, por se preferenca e tij për Barcelonën lidhej edhe me mënyrën e lojës së Real Madridit dhe veprimet e disa prej mbrojtësve të tij.
“Kam qenë më shumë mbështetës i Barcelonës, sepse isha kundër veprimeve të Pepe dhe mbrojtësve të tjerë të Real Madridit”, ka deklaruar Klopp.
Megjithatë, gjermani ka theksuar se sot vlerëson mbi të gjitha skuadrën që luan futboll më të mirë, pavarësisht emrit apo historisë së saj.
Duke u bazuar në formën aktuale të ekipeve, Klopp e konsideron Barcelonën favorite për këtë përballje, e cila pritet të jetë ndër ndeshjet më të komentuara të sezonit.
El Clasico mbetet një nga rivalitetet më të mëdha në futbollin botëror, me Barcelonën dhe Real Madridin që synojnë fitoren dhe supremacinë ndaj rivalit të përjetshëm.
