Ishte 26 shkurti i vitit 2020. Në kuadër të xhiros së 12-të të Ligës Ballkanike në basketboll, Rahoveci e priste skuadrën nga Mali i Zi, Ibar. Ndeshja me skuadrën nga Rozhaja po luhej në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec. Pak njerëz mund ta kujtojnë atë ndeshje, që megjithatë kishte rrjedhë interesante.
Por ndeshja ka zënë vend në shumë raporte. Në raporte të FIBA-s po ashtu.
Ndeshjen e referuan Ognjen Jokiq, Vladan Sundiq dhe Daut Mehmeti.
Rahoveci e kishte fituar çerekun e parë me rezultat 25:22. Në çerekun e dytë fitoi 20:16. Pra “vreshtarët” në pushim shkuan me rezultat 45:38. Rrjedha e ndeshjes ndryshoi plotësisht në çerekun e tretë. Për çudi, Rahoveci shënoi vetëm 12 pikë, ndërsa i pranoi 26. Më pas në çerekun e katërt i pranoi 16 pikë e i shënoi vetëm 12. Në fund humbi me rezultat 80:69.
Sistemi i “Sportradar” e kishte identifikuar menjëherë si ndeshje të dyshimtë. Si rezultat të dyshimtë. Dhe FIBA me vendimin e fundit ka lënë të kuptohet se e llogarit ndeshje të kurdisur. Është njëra prej ndeshjeve për të cilat arbitri kosovar i basketbollit, Daut Mehmeti, është përjashtuar përjetë nga sporti. Vendimin për përjashtimin përjetë të Mehmetit, FIBA e mori javën e kaluar. Malazezi Jokiq, që ishte arbitri i parë në atë ndeshje të vitit 2020 aktualisht është i suspenduar nga FIBA. Është i suspenduar deri më 7 gusht për refuzim të bashkëpunimit në hetim. Nuk përjashtohet mundësia që një dënim tjetër, dukshëm më i rëndë, t’i jepet Jokiqit.
Maqedonasi Marjan Ilievski ishte trajner i Rahovecit atëbotë. Kanë luajtur emra të njohur të basketbollit kosovar.
Sipas FIBA-s, përgjegjës për kurdisje ishin arbitrat. Rrjedhimisht erdhi dënimi i rëndë për Daut Mehmetin.
Sistemi Universal i Zbulimit të Mashtrimeve kishte identifikuar menjëherë ndeshjen si të dyshimtë. FBK-ja në vitin 2020 nuk ishte pjesë e “Sportradarit”. Pjesë e kësaj organizate që lufton kurdisjet dhe bastet ilegale u bë vjet. Por raporti i “Sportradar”, të cilin e ka edhe KOHA, është pjesë e dosjes që solli dënimin e Mehmetit, që megjithatë nuk pritet të mbetet i vetmi. Dyshohet që ai është pjesë e një rrjeti që ka shtrirje në shumë vende. Të paktën edhe një “punëtor” i basketbollit nga Kosova është i përfshirë. Ka të përfshirë edhe nga Mali i Zi, Bullgaria, Maqedonia e Veriut e vende të tjera. Baste ilegale janë vënë deri në Kinë. Edhe për atë ndeshje të Rahovecit.
KOHA ka provuar të kontaktojë me drejtues të Rahovecit për t’i pyetur për ndeshjen në fjalë, por ata nuk kanë hapur telefonin.
Arsyetimi pas humbjes nga Ibari ishte disi i zakonshëm.
“Mungesa e yllit të skuadrës, Darell Davis, e Leonard Mekajt e po ashtu mosrikuperimi i plotë i Alban Veselit u vërejtën dukshëm. S’mundëm të bënim më shumë, megjithëse djemtë u munduan”, kishte shkruar Rahoveci pas asaj ndeshjeje të 26 shkurtit të vitit 2020.
Në raportin e “Sportradar” shkruan se ka prova të qarta se elemente të kësaj ndeshjeje ishin manipuluar me synimin për të përfituar nga bastet.
“Dëshmia e basteve tregon se bastvënësit kishin njohuri të mëparshme për humbjen e ndeshjes nga Rahoveci”, shkruan në raportin e “Sportradar”.
Baste se Rahoveci do ta humbte ndeshjen ishin vënë që në çerekun e parë. Bastet po vendoseshin që Rahoveci të humbte, ndonëse në atë moment ishte ekip superior. Dhe kjo natyrisht solli dyshime te kompania e specializuar për detektimin e basteve ilegale dhe kurdisjeve.
Në fund të raportit të “Sportradar” shkruan se “modelet e basteve dhe informacioni aktual mbështetës japin indikacione që Rahoveci ishte potencialisht bashkëfajtor në manipulimin e ndeshjes”.
Pasi nuk ishte pjesë e “Sportradarit” atë kohë, FBK-ja nuk ishte njoftuar për raportin dhe për dyshimet. Për këtë në FBK mësuan pas vendimit për përjashtimin e Daut Mehmetit. Pra ajo është një tjetër ndeshje e kurdisur nga Mehmeti, sipas FIBA-s.
Daut Mehmeti ka mohuar përfshirjen, ndërsa ka thënë se FIBA e ka dënuar pa fakte. Ai është gjendur fajtor nga FIBA për manipulimin e disa ndeshjeve të Ligës Ballkanike, ku Kosova kishte dhe ka prani të madhe.
Mehmeti, për kohë të gjatë njëri prej arbitrave kryesorë në vend, ka një vit që nuk drejton ndeshje, prej kur FIBA nisi hetimet ndaj tij.