Rifat Zeka, Beqir Sefa dhe Mustafa Shemi janë policët që u kidnapuan dje nga njësia e policisë ushtarake e Forcave të Armatosura serbe “Kobra”.
Ata u kapën brenda territorit të Kosovës, megjithëse mediat e afërta me presidentin serb Aleksandar Vuçiq që dhanë të parët lajmin për kapjen e policëve të Kosovës, kanë pretenduar se ata u zunë në territorin që llogaritet të jetë në pjesën e Serbisë.
I menjëhershëm ishte reagimi i Kosovës.
Policia e cilësoi këtë si “kidnapim klasik të organizuar” brenda territorit të Kosovës, kurse në Beograd u tha se ata janë arrestuar nga njësitet anti-terror të xhandarmërisë serbe brenda territorit të Serbisë, në komunën e Rashkës.
Ngjarja, sipas Policisë së Kosovës ka ndodhur mesditën e së mërkurës, kur ata dyshohet se janë rrëmbyer nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vendin e quajtur Tresave/Bare, në vijën kufitare në veri të Kosovës.
Vendi Tresave/Bare gjendet në komunën e Leposaviqit, brenda territorit të Kosovës.
Si rezultat i kësaj ngjarjeje, Qeveria njoftoi se institucionet kanë vendosur që të mos lejojnë hyrjen në Kosovë të automjeteve me targa të Serbisë.
Çfarë u tha në Kosovë?
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se “Serbia kriminale ka hyrë në territorin e Kosovës dhe ka kidnapuar tre zyrtarë policorë të Republikës së Kosovës”.
“Pa asnjë dyshim, zyrtarët tanë policorë kanë qenë të vendosur thellë brenda territorit të Republikës së Kosovës, në pikë kontroll statik, duke kryer detyrat e tyre të rregullta”, shkroi ai në Facebook.
Ai kërkoi nga faktori ndërkombëtar “të rrisë urgjentisht presionin ndaj Serbisë, që jo vetëm të lirojë zyrtarët tanë policorë, por edhe të ndalë provokimet e saj”.
Sipas një njoftimi të Policisë së Kosovës, njësia policore ka qenë duke kryer një patrullë “thellë brenda territorit të Kosovës” për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale, që sipas këtij institucioni shfrytëzohen nga grupet kriminale” për kalim ilegal dhe kontrabandë.
Policia tha se ky njësit, i përbërë prej tre zyrtarëve kufitarë, ka njoftuar se kanë vërejtur persona të maskuar dhe të armatosur dhe ka kërkuar asistencë. Drejt tyre janë nisur njësi të tjera të policisë.
“Me të arritur në atë lokacion, njësitet asistuese kanë vërejtur vetëm veturën zyrtare, por jo edhe vetë zyrtarët policorë që kanë qenë me detyrë në atë lokacion. Në drejtim të këtij lokacioni menjëherë kanë shkuar edhe njësite tjera policore, si dhe janë informuar edhe institucionet tjera të sigurisë, përfshirë KFOR-in, pasi dyshohet se zyrtarët policorë janë kidnapuar nga forcat serbe”, thuhet në njoftim.
Në një konferencë për media, Baki Kelani nga Policia e Kosovës, e quajti këtë veprim si “kidnapim klasik” nga forcat e njësive speciale serbe.
Ai tha se Serbia edhe në të kaluar ka rrëmbyer policë të Kosovës, sikurse më 2011, kur sipas tij u rrëmbyen dy zyrtarë policorë kosovarë.
“Policia e Kosovës është e brengosur dhe e dënon kidnapimin klasik. Sigurojmë qytetarët tanë që Policia e Kosovës do të vazhdojë me përkushtim të lartë që të kryejë detyrat e saj kushtetuese dhe ligjore”, tha Kelani.
Ai akuzoi Serbinë se po përdorë rrëmbimet e zyrtarëve policorë për të destabilizuar veriun dhe “për të mbrojtur kriminelët”.
Kelani tha se zyrtarët policorë janë policë patrullues, e paqeruajtës.
“Unë dua të ju siguroj që ata janë tre zyrtarë të moshës së shtyrë rreth 50 vjeç apo edhe mbi 50 vjeç”, tha ai.
Kelani shtoi se Policia e Kosovës do të shtojë praninë e saj në vendet ku vlerësohet se është e nevojshme.
Çfarë u tha në Serbi?
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, tha se njësitet anti-terror të xhandarmërisë serbe më 14 qershor kanë arrestuar tre zyrtarë të njësive speciale të Policisë së Kosovës, që sipas tij “ishin të armatosur deri në dhëmbë”.
Ai i identifikoi të arrestuarit me inicialet R.Z, B.S dhe M.Sh.
“Ata u arrestuan në orën 12:38 në thellësi të territorit të Serbisë qendrore, në fshatin Gnjillica në afërsi të Rashkës”, tha Petkoviq gjatë një konference për media në Beograd.
Rashka gjendet në jugperëndim të Serbisë, rreth 10 kilometra nga kufiri me Kosovën.
Sekretari shtetëror i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, Zhelko Bërkiq, gjatë një konference për media tha se policët e Kosovës kanë ardhur me veturë zyrtare në vendkalimin alternativ Tresava-Batnjik, ku e kanë lënë veturën dhe kanë vazhduar në këmbë përgjatë rrugës Orahovë- Gnjillicë, ku, sipas tij, janë lokalizuar dhe arrestuar.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se asnjë ushtar dhe asnjë polic nga Serbia nuk ka hyrë përtej kufirit me Kosovën.
Ai tha se policia serbe arrestoi tre policë të Kosovës 1.8 kilometra larg kufirit.
KFOR-i po përpiqet të marrë informacione nga Serbia për tre policët e rrëmbyer
KFOR ka thënë se janë në kontakt me autoritetet serbe për të marrë “informacione zyrtare” për rastin e tre policëve të Kosovës.
“KFOR-i nuk ka qenë i përfshirë në ngjarjen e sotme lidhur me pjesëtarët të Policisë së Kosovës dhe në fakt është në kontakt me autoritetet serbe për të marrë informacione zyrtare për atë që ka ndodhur”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it
BE: Jemi në kontakt me Prishtinën, Beogradin e KFOR-in për të përcaktuar çka ndodhur saktësisht
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se janë në kontakt me Kosovën, Serbinë si dhe KFOR-in për të kuptuar më shumë rreth asaj çfarë ka ndodhur.
”Ne jemi – si çështje urgjente – në kontakt me të dyja palët, si dhe me KFOR-in, për të përcaktuar se çfarë dhe si ka ndodhur saktësisht”, ka thënë Stano.
Reagimet në Kosovë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se “kidnapimi i tre zyrtarëve policorë brenda territorit të Republikës së Kosovës është agresion nga ana e Serbisë”.
“Ky akt dëshmon edhe njëherë se Serbia nuk është e interesuar për paqe e stabilitet në rajon, por për të shkaktuar destabilizim të Kosovës dhe gjithë rajonit”, tha Osmani.
“Zyrtarët policorë duhet të lirohen menjëherë dhe pa asnjë kusht”, shtoi ajo.
Kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se me këtë veprim po dëshmohet se Serbia “dëshiron të nxisë tensione mes dy vendeve”.
“Në kohën kur Qeveria e Kosovës po del me propozime për t’i gjetur zgjidhje destabilizimit të shkaktuar nga grupet kriminale të mbështetura nga Beogradi, Serbia dëshmon nuk është e gatshme për asnjë zgjidhje. Prandaj, i kërkojmë fuqishëm faktorit ndërkombëtar, veçanërisht BE-së dhe SHBA-së që ta dënojnë Serbinë për këto akte agresioni kundrejt Kosovës. Lirimi i menjëhershëm i tre policëve të Kosovës është ultimativ”, shkroi ai në Facebook.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se autoritetet dyshojnë se ky rrëmbim është bërë në shenjë hakmarrjeje.
“Dyshojmë që ata janë rrëmbyer nga ushtria e Serbisë, qartazi si hakmarrje e Serbisë për arrestimin e djeshëm të kriminelit famëkeq Millun Millenkoviqi cili paraqet një ndër krerët e krimit të organizuar dhe kontrabandës”, tha Kurti.
Kryeminstri kosovar bëri thirrje për lirimin e menjëhershëm të zyrtarëve policorë dhe ftoi faktorin ndërkombëtar, të dënojë, atë që ai e quajti, “akt agresioni të Serbisë”.
“Hyrja e forcave të Serbisë në territorin e Kosovës është agresion dhe synim për eskalim dhe destabilizim”, shkroi ai në Facebook.