Ky është i dyshuari për sulmin ndaj gazetarëve në Veri të Mitrovicës

Ky është i dyshuari për sulmin ndaj gazetarëve në Veri të Mitrovicës

Policia e Kosovës gjatë ditës së shtunë ka njoftuar se ka arrestuar një serb në Jarinjë, i cili dyshohet për sulm ndaj gazetarëve në veri të Mitrovicës.

Dalibor Spasiq është serbi i arrestuar nga organet e rendit, i cili dyshohet se ka sulmuar punonjësit e mediave derisa po raportonin mbi situatën në këtë pjesë të Kosovës.

Demokracia.com ka arritur të sigurojë fotografinë e serbit i cili dyshohet se ka sulmuar gazetarët gjatë punës së tyre.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, sulmet ndaj gazetarëve janë duke u trajtuar me prioritet.

“Policia e Kosovës, është duke trajtuar me prioritet rastet e dhunës së shënuar kohëve të fundit në veri të vendit, kështu pas hetimeve intensive të njësiteve policore, është arritur të identifikohet një person i dyshuar: D.S., mashkull serb, viti i lindjes 1988, i cili më 31.05.2023, kishte sulmuar gazetarët e disa mediumeve në Zveçan”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Po ashtu, ministri i i Punëve të Brendshme (MPB), Xhelal Sveçla, ka njoftuar për arrestimin e Dalibor Spasiqit.

Sveçla e ka quajtur kriminel, duke shtuar se “aktetet kriminale nuk kalojnë pa pasoja”.

“Përgëzoj njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës për efikasitetin dhe punën e vazhdueshme me qëllim të vendosjes së rendit dhe ligjit në çdo cep të Republikës së Kosovës. Në vendin tonë demokratik aktet kriminale nuk kalojnë pa pasoja. Këtë duhet ta dinë edhe ata për të cilët nuk ka pasur pasoja ligjore për gjithë këto vite. Republika nuk zmbrapset përballë kriminelëve e milicisë fashiste”, ka shkruar ai.

Related Articles