Profesori i çështjeve të sigurisë, Fatmir Çollaku thotë se nesër me rastin e festës së “Vidovdanit” mund të priten provokime nga ana e serbëve lokalë.
Çollaku thotë se përflitet se serbët mund ta shpallin Asociacionin në Kishë dhe sipas tij aty nuk mund të intervenojë policia.
“Sidomos tani kur e dimë që është data e shënuar për ta dhe mund të priten provokime, sfidime për policinë dhe jo vetëm për policinë dhe përpjekje për organizime të ndryshme siç edhe janë paralajmëruar nëpër shumë media dhe një përfolje publike është se do të provojnë ta formojnë Asociacionin në Kishë në mënyrë që policia në një mënyrë apo tjetër të mos ketë mundësi juridike të intervenojë, sepse në organet kishtare, fetare nuk mund të reagohet nëse ata zhvillojnë aktivitet shpirtëror, në emër të atij petkut shpirtëror, religjioz, mund të kryejnë edhe aktivitete të tjera edhe politike. Por sido që të jetë policia është në gatishmëri të plotë dhe deri më tani aktivitetet e policisë janë konform ligjit”, ka thënë Çollaku në Tëvë1.
Sipas tij nuk është e pritshme ndonjë agresion që rrënon rendin juridik të vendit.
“Gjithçka është e mundshme dhe e pritshme. Duke i llogaritë ngjarjet paraprake që ka pas ndryshim esencial në kuptimin e situatës në terren, gjithçka është e mundshme vetëm nuk mund të ndodhë ndonjë kryengritje apo agresion që rrënon rendin juridik dhe kushtetues, ajo nuk është e mundshme…Mund të priten provokime me simbole nacionaliste, të Rusisë, Putinit apo shkronjës famëkeqe Z”, ka deklaruar Çollaku.
“Çdo vit në prag të Vidovdanit jemi dëshmitarë të praktikave të tilla ku policia shton arsyeshëm nivelin e gatishmërisë, konsolidon radhët në kuptimin operacional dhe harton planet operative dhe ato taktike që të zotërojë dhe mbikëqyr konform mandatit. Jemi dëshmitarë në retrospektivë ku ka pasur provokime të llojllojshme me ato fanellat nacionaliste e me folklor, ku policia ka veprua herë-herë duke marrë masa aty për aty që të mos lejohen provokimet nacionaliste serioze të popullatës tjetër aty. Edhe kësaj radhe jam shumë i bindur që ka marrë masa të nevojshme operative dhe taktike”.