Marrëveshja për kredi me KFW përplas LVV-në dhe PDK-në, s’ka kuorum për votim

Marrëveshja për kredi me KFW përplas LVV-në dhe PDK-në, s’ka kuorum për votim

Marrëveshja e kredisë mes Qeverisë së Kosovës, KOSTT-it dhe KFW, e cila synon përmirësimin për përmirësimin e rrjetit e transmetimit, përplasi sot pushtetin e opozitën. Madje, për miratimin e kësaj marrëveshjeje nuk pati as kuorum.

Derisa mazhoranca e ekzekutivi kërkuan mbështetje të kësaj marrëveshjeje ndërkombëtare, ishte PDK saktësisht deputetit i kësaj partie, Ferat Shala, i cili kërkoi të shtyhet miratimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë dhe projektit ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, KOSTT (Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu sh. a.) dhe KFW, Frankfurt Am Main (KFW) për Projektin -Zhvillimi i sektorit të energjisë VII – përmirësimi i rrjetit të transmetimit.

Votat e deputetëve për këtë marrëveshje ndërkombëtare i kërkoi ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, i cili tha se nga kjo marrëveshje qeveria do të marrë 25.5 milionë euro që do të shfrytëzohen nga KOSTT për përmirësimin e sistemit të transmisionit në Kosovë.

“Me anë të kësaj marrëveshje qeveria do të marrë nga KFW 25.5 milionë euro shumë, e cila më pastaj do të nën-huazohet tek KOST dhe këto mjete do të përdoren nga KOSTT për përmirësimin e sistemit të transmisionit në Kosovës dhe do të përfshijë masa të rehabilitimit, zgjerimit, modernizimit të rrjetit të trasmetimit si dhe shërbime të inxhinierisë përkatëse…Ky është projekti i parë nga KFW në Kosovë me mbulim të riskut nga qeveria gjermane dhe kjo patjetër që do të ndikojë edhe në kushte shumë të favorshme të financimit të kësaj shume. ”, theksoi ai.

Mbështetje për këtë projekt dhanë edhe deputetët e mazhorancës.

Deputeti nga radhët e PDK-së, Ferat Shala u shpreh se kjo parti nuk do të marrë pjesë në votim të kësaj marrëveshjeje dhe kërkoi edhe shtyrje të shqyrtimit.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës për dy vjet qeverisje e ka futur në dy kredi KOSTT-in, prandaj kërkoi raport për rezolutën e kaluar në Kuvendin e Kosovës për mbulimin e shpenzimeve të devijimit për rrymën në veri.

“Është jo morale politike me ardh sot me kërkua kredi pa na dhënë përgjigje për rezolutën e këtij Kuvendi. Për më keq a ka mundësi me na tregu se është ministër i Financave për dy vite qeverisje KOSTT po hynë në kredinë e dytë a ka kapacitet financiar që KOSTT t’i paguajë dy kredi….Grupi jonë parlamentar kërkon që ky vendim të shtyhet nuk dhe të hidhet në votim, të shtyhet për një kohë të na vije një raport i ministrit të Financave për kredinë e parë për mënyrën e devidentës që ia ka marrë, për ligjshmërinë e kësaj rezolute dhe zbatimin e saj dhe kur ta kemi një pasqyrë të qartë se deri ku është zbatuar rezoluta, atëherë e bjen në rend dite na jep sqarimet e duhura…Kështu siç keni bërë deri tash për këtë punë na vjen shumë keq ne nuk mund të marrin pjesë në votim”, theksoi ai.

Më pas, reagoi shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizja Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, e cila tha se PDK e ka sfiduar këtë rezolutë në Gjykatën Kushtetuese.

Ajo tha se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ka konstatuar se dallimet në trajtimin e konsumatorëve të energjisë elektrike në katër komunat e Kosovës ndjek një qëllim legjitim.

“PDK ka sfiduar po të njëjtën rezolutë në Gjykatën Kushtetuese dhe të njëjtën rezolutë e ka sfiduar me disa pretendime, njëra prej të cilave është shkelja e të drejtave të njeriut, ndërhyrja në kompetenca apo afarizëm të KOSTT e disa tjera, të cilat janë hudhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese…Së pari gjykata ka konstatuar se është detyrë e KOSTT balancimi i sistemit të energjisë elektrike në harmoni me kodin e rrjetit të transmetimit dhe rregullat e tregut, gjë e cila është sfiduar nga PDK, së dyti gjykata ka konstatuar se dallimet në trajtimin e konsumatorëve të energjisë elektrike në katër komunat e Kosovës ndjekim një qëllim legjitim sipas pretendimit të PDK-së, kjo sepse akti i kontestuar i Kuvendit ka për qëllim ushtrimin e sovranitetit në sistemin elektro energjik me të gjitha të drejtat dhe obligimet të përcaktuar me marrëveshjen e kyqjes me ENSO-E”, theksoi Kusari-Lila.

Ndërsa, në replikën e tij deputeti i PDK-së, Shala tha se ka dy vjet diskriminim dhe shkelje të mëdha.

“Ka dy vite diskriminim dhe shkelje të mëdha. Kushtetuta e ka vlerësuar vetëm për periudhën 6 mujore dhe ju jo rastësisht e keni bërë 6 muaj dhe tani i kemi dy vite unë po iu pyes ju cili është rezultati i kësaj a e keni implementuar”, theksoi ai.

Sqarime dha edhe ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili u shpreh se kërkesa për kredinë e dytë me KFW ka ardhur si kërkesë nga KOSTT-i.

“Ka qenë 20 milionë euro dividenta që është marrë aso kohe me miratim të Kuvendit në vitin 2021, por që pastaj me miratimin e rezolutës në Kuvend ne e kemi kthyer devidentën, pra në shumën e plotë 20 milionë euro i janë kthyer KOSTT në dhjetor të vitit 2021. Pra, nuk ka tërhequr neto qeveria devident nga KOSTT. Thatë se është kredia e dytë është e vërtet që në vitin e kaluar i kemi dhënë kredi KOSTT për likuiditet në vlerë prej 26 milionë euro me afat maturimi 1 vjeçar dhe ajo kredi tashmë është kthyer më datën 1 qershor nga KOSTT në llogarinë e thesarit…Kjo neve na ka ardhur si kërkesë nga KOSTT nuk është që ne po e ngarkojmë KOSTT përkundrazi ka ardhur si kërkesë nga KOSTT”, theksoi ai.

Edhe pas kësaj përgjigje të ministrit Murati, i menjëhershëm ishte reagimi i deputetët të PDK-së, Ferat Shala, i cili tha se rezoluta e votuar në Kuvendin e Kosovës ka qenë gabim dhe skandal politik dhe financiar.

“Sot po kërkoj sqarim implementimin e rezolutës së Kuvendit e miratuar në këtë Kuvend pas shumë debatesh dhe të cilat sot po argumentohen që ka qenë gabim, ka qenë skandal dhe politik edhe financiar dhe strategjik për sektorin. Sa fitoi qeveria nga kredia, sa e ka pas interesin a i ke marrë paret. Pse ai prapë po paguan KOSTT në bazë të kësaj rezolute ende vazhdon me i pagua të gjitha devijimet në pjesën veriore pse nuk po e ndal këtë, pse nuk po e implementon rezolutën, në rezolutë e ke të qartë implementoje”, u shpreh deputeti i PDK-së.

Ndërsa, ministri Murati tha se nuk ka nevojë të priten raporte të tjera se ka qartësi.

“Konsideroj se nuk ka nevojë të pritet për raporte të tjera, sepse ka qartësi dhe do të duhej tashmë të shkonte në votim”, u shpreh Murati.

E shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri u shpreh në mungesë të votave të nevojshme marrëveshje për kredi nga KFW duhet të shtyhet.

“Sugjerimi im është që të ketë një diskutim serioz për shkak se argumentet e prezantuara nga zotëri Shala janë argumente të prekshme përgjigjet janë kryesisht politike, të cilat realisht nuk u kontra argumentuan me atë që u ngrit më herët. Kosova është një situatë para një bllokade deshtm apo nuk deshëm me e pranua në raport me faktorin ndërkombëtar. Sot, Kosova është duke u kërcënua me sanksione me miliona euro, të cilat mund të bllokohen dhe ndalen nga BE po flasim për diku 65 milionë euro të gatshme nga BE potencialisht edhe për ndalimin e MSA-së…..Kjo po ashtu duhet të shtyhet se nuk janë votat e mjaftueshme për të kaluar kjo marrëveshje padyshim e rëndësishme”, theksoi ai.

Në fillim të seancës së sotme, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca u deklarua për tërheqjen nga rendi i ditës së leximit të dytë të projektligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje.

Konjufca tha se nga qeveria ia kanë bërë me dije se në mbledhjen e porsa përfunduar është vendosur të tërhiqet ky projektligj./kp

Related Articles