Marrëveshja që bëri me shokun e tij se nëse do arrijë ta marrë një kredi me ndihmën e tij, do t’ia jepte mbi 1 mijë euro, i doli dardhë me bisht një 23-vjeçari në Prishtinë. Gjatë ditës së djeshme ai u rrëmbye nga i dyshuari, i cili kërkonte që me çdo kusht t’i merrte paratë që i ishin premtuar.
Brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Egzon Delijajn, i cili ende nuk është arrestuar.
Si ka ndodhur e gjithë ngjarja
Mbrëmë rreth orës 18:30 derisa i riu 23-vjeçar ishte duke ecur në rrugën ‘Fatime Sokoli’ në Prishtinë, i dyshuari i kishte dalë në pritë dhe i kishte kërkuar atij që të hip në veturën të cilën po e drejtonte.
Sipas burimeve të Sinjalit, viktima në dëshminë e tij dhënë organeve të hetuesisë, ka bërë me dije se me Delijajn njihen tash e disa muaj dhe i njëjti i pretendonte se i ka ndihmuar të riut që ta marrë një kredi në një institucion mikrofinanciar.
Marrëveshja mes tyre besohet të ketë qenë që posa të aprovohet kredia, një pjesë e tyre do t’i marrë i dyshuari Delijaj. E kur kjo ‘marrëveshje’ nuk gjeti zbatim, Delijaj dyshohet se vendosi që ta marrë vetë drejtësinë në duar dhe të marrë paratë që thoshte se i takojnë më çdo kusht.
Në gjithë dramën, dyshohet të jetë përfshirë edhe një person i tretë, i cili i kishte vënë në kontakt dy të rinjtë për të marrë kredinë. Pasi viktima ka tentuar që të zbresë nga vetura, Delijaj dyshohet se e ka ndalur me dhunë dhe më pas e ka lidhur për karrige dhe e ka kërcënuar me armë.
Nga e gjithë kjo e shpëtoi miku i babait, i cili pasi doli në vendin e ngjarjes, viktima u lirua.
I riu menjëherë ka denoncuar rastin në Polici, ku ka rrëfyer ngjarjen në detaje dhe si rrjedhojë kanë nisur hetimet.
I dyshuari është arratisur, por janë marrë të gjitha veprimet hetimore që ndihmojnë në kapjen e tij, ndërkohë që është ftuar për intervistim edhe dëshmitari që ishte në mes të të dyja palëve.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Rrëmbim’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren varësisht nga zhvillimi i hetimeve.