Bullgaria planifikon të siguroj 150 mijë doza të vaksinës antiCOVID-19 për shtetet e Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë edhe Kosovën, raporton Gazeta Enigma.
Këtë e ka konfirmuar ministri bullgar i Shëndetësisë, Stoicho Katsarov, duke theksuar se shteti ka arritur marrëveshje me BE-në për rreth 13-14 milionë doza të vaksinës deri në fund të vitit, dhe sipas tij Bullgaria mund t’a përballojë këtë për t’i ndihmuar edhe vendet e tjera.
“Ideja është të shpërndajmë rreth 150 mijë doza për fqinjët tanë në Ballkanin Perëndimor”, u shpreh Katsarov, duke shtuar se Sofja zyrtare kishte marrë kërkesa nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Kosova dhe Bosnjë dhe Hercegovinë.
Ministri gjithashtu deklaroi se është në pritje të një përgjigje nga Komisioni Evropian në lidhje me atë se si saktësisht duhet të veprojë Bullgaria dhe nëse ajo mund të dhurojë ose të shesë doza. Ai shtoi se Bullgaria dëshiron të dhurojë kryesisht vaksina AstraZeneca.