Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, priti në takim një delegacion të Parlamentit të Austrisë të kryesuar nga deputetët Martin Engelberg e Carmen Jeitler Cincelli dhe shoqëruesit Kevin Kaiser, Danielle Spera e George Hans Jeitler, raporton Gazeta Enigma.
Deputetët austriak e uruan kryekuvendarin Konjufca për marrjen e detyrës së re. Njëherësh ata konfirmuan gatishmërinë e Republikës së Austrisë, në veçanti të Parlamentit austriak, për vazhdimin e bashkëpunimit bilateral, shkëmbimin e përvojave dhe fuqizimin e mëtejmë të miqësisë në mes të dy shteteve.
Kryekuvendari Konjufca, teksa falënderoi delegacionin nga Austria, i shprehu mirënjohje Kuvendit dhe shtetit austriak për kontributin ndaj shtetit tonë, duke theksuar se Austria nuk është vetëm një shtet mik i dëshmuar historikisht, por edhe mbështetëse e Kosovës në rrugën euro-atlantike.
I pari i Kuvendit po ashtu i njoftoi deputetët austriak lidhur me konstituimin e Legjislaturës VIII të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit. Ai u zotua se legjislatura e re do të garantojë më shumë stabilitet politik e institucional, efikasitet në punën legjislative të Kuvendit, por edhe më shumë përgjegjësi e llogaridhënie të klasës politike.
Duke folur për fusha konkrete të bashkëpunimit, kryekuvendari Konjufca veçoi, ndër të tjera, miratimin e vazhdimit të Programit të Kuvendit për Edukimin Qytetar të themeluar dhe mbështetur nga parlamenti austriak, i cili është projekt për fëmijët e shkollave fillore dhe të mesme, nëpërmjet të të cilit ata fitojnë njohuri mbi demokracinë dhe funksionimin e Kuvendit.
Në takim u vlerësua lart puna e deritashme e grupeve të miqësisë ndërparlamanetare dhe u shtrua nevoja e avancimit të bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët./Gazeta Enigma/