Opinionisti, Lutfi Dervishi thotë se mostakimi Kurti – Rama është vetëm “maja e Ajsbergut”.
Sipas tij, mes Kosovës dhe Shqipërisë ka një krizë komunikimi dhe se marrëdhëniet kanë ndryshuar.
“Mostakimi sot është vetëm maja e Ajsbergut. Duhet kuptuar cilat janë arsyet më të thella që ky takim nuk ndodh dhe si ndodh që kryeministri i Shqipërisë do të darkojë me presidentin e Serbisë, por nuk takohet dot me kryeministrin e Kosovës…nëse flasim nga pikëpamja e Tiranës duhet kuptuar që marrëdhëniet e Shqipërisë me të Kosovës kanë ndryshuar”, tha ai në një lidhje direkte në “Këndi i Debatit” në Tëvë 1.
Dervishi theksoi se raportet mes të dyja shteteve nuk janë më “nënë e bijë” apo “vëllai i vogël me vëllain e madh”, e që e vetmja gjë që i ndan është egoja e liderëve.
“Duke parë problemin nga Tirana, nuk është më raporti nënë-bijë apo vëllai i madh me vëllain e vogël, por bëhet fjalë për dy shtete që kanë rrugën e vetë, që kanë aspiratën e vetë…nuk i ndan pothuajse asgjë përveç egove personale të liderëve të tyre”, shtoi ai.