Një alarm për bombë në një avion të ulur në aeroportin ndërkombëtar “Charles de Gaulle”, ka krijuar situatë gatishmërie për forcat e rendit në Francë.
Një avion i kompanisë “Air France” i cili ishte nisur nga shteti i Çadit është ulur në aeroport dhe menjëherë ka mbërritur një kërcënim se brenda mjetit të tranportit ajror janë instaluar lëndë eksplozive. Në përgjigje të kërcënimit, forcat e sigurisë së aeroportit kanë evakuuar avionin dhe kanë larguar mjetet dhe njerëzit përreth vend-stacionimit të tij, teksa kanë marrë në ekzaminim atë.
“Aeroplani është izoluar, të gjithë pasagjerët janë evakuuar dhe kemi nisur hetim në lidhje me ngjarjes”- lajmëron Ministria e Brendshme e Francës pak minuta më parë.
Gjasat janë që alarmi të ketë qenë i rremë, por autoritetet po investigojnë çdo pistë dhe po tentojnë të gjurmojnë prejardhjen e kërcënimit. Nuk raportohet asnjë dëm material apo në njerëz.