Një nga personat e pakapshëm për organet e rendit në Kosovë për një kohë ka qenë Besnik Lajqi nga Peja, me të kaluar kriminale. 39-vjeçari në dosjen e tij ka plot vepra penale, për të cilat dyshohej në periudha të ndryshme kohore. Pas një kohe në arrati, ai tashmë ka përfunduar në prangat e Policisë, raporton ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Burimet brenda Prokurorisë kanë ëbrë me dije se Lajqi është ekstraduar nga Hungaria në Kosovë dhe posa është sjellë në Aeroportin e Prishtinës, i njëjti është arrestuar.
Pas prangosjes, Policia e ka dërguar të dyshuarin në qendrën e ndalimit dhe ndaj tij është nxjerrë vendimi për masën e ndalimit policor.
Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale në Pejë, me ç’rast është bërë e ditur se arrestimi i tij është bërë në bazë të urdhëeresës aktive të lëshuar nga Gjykata.
Por kush është Besnik Lajqi?
Para rreth një viti, Lajqi ishte shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës dhe për kapjen e tij, ishte kërkuar edhe bashkëpunim nga qytetarët. Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, bazuar në ligj, kishte publikuar fotografinë e Lajqit, i cili kërkohej në bazë të urdhëresës së Gjykatës Themelore në Pejë.
Lajqi po kërkohej për dy vepra penale, “Fajde” dhe “Detyrim”, por kishte arritur ta shijojë lirinë nga arratia, derisa u ekstradua nga shteti i Hungarisë dhe u dorëzua në Kosovë, për t’u ballafaquar me drejtëinë.
Emri i tij ka qenë i përfshirë në rastin e fajdes në shkurt të vitit 2022, ku Prokuroria dhe Policia në Pejë zhvilluan aksion, ku u arrestuan 15 persona, por Lajqi ishte ai i ‘pakapshmi’, të cilin organet e rendit nuk po arrinin ta arrestonin.
Gjatë këtij aksioni u sekuestruan rreth 46 mijë euro, 10 vetura e shumë prona të personave që dyshohej se kishin gisht në rastin që po hetohej për muaj me radhë nga Prokuroria.
Sipas detajeve nga dosja e Prokurorisë që ishin publikuar pas aksionit, thuhet se gjatë vitit 2018 e tutje në Pejë, Lajqi ka kontraktuar “një shumë dukshëm joproporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit për personin tjetër, duke shfrytëzuar gjendjen financiare dhe papërvojën e duke përfituar kështu shumë të mëdha parash nga i dëmtuari M.I, në atë mënyrë i pandehuri duke e njohur të dëmtuarin për shkak të profesionit të njëjtë dhe në kohën derisa i dëmtuari ishte duke ndërtuar objektin (punëtorinë) dhe i nevojiteshin para”.
“I pandehuri ia ofron një veturë të llojit “Porche” ngjyrë e zezë me targa RKS e regjistruar në mbiemrin Muriti, të cilën ia vlerëson në shumë prej 41 mijë eurove dhe të cilën duhej t’ia pagunte pas shtatëmuajsh, fillimisht pa interes, pro pas katër mujash kur i pandehuri e kupton gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit i thotë se nëse nuk e bënë pagesën do të kesh interes prej 1000 euro në muaj dhe për shkak të vonesës, i dëmtuari detyrohet që për pesë muaj t’ia paguaj në emër të 18epër 18 të shumës prej 5 mije eurove”.
“Përveç shumë prej 20 mijë eurove në emër të borxhit kryesor dhe më pas ia ofron edhe një veturë të llojit Audi A6 me targa të Kosovës e regjistruar në emër të Fetë, të cilin ia vlerëson në shumë prej 40 mojë euro, kindësia ia mundëson që këtë shumë t’ia paguaj pas një viti në total prej 61 mijë eurove, e ku i dëmtuari përvec shumës së të hollave prej 8 mijë eurove ia transferon edhe shumën prej 24 mijë eurove në llogarinë bankare. I pandehuri këtë shumë ia llogarit vetëm si pagesë të kamatave, e jo për borxhin kryesor”, thuhej tutje në dosjen e Prokurorisë.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.