Faruk Mujka, kryeshefi ekzekutiv i ‘Ibër Lepencit’, dhe Hysen Muzliukaj, këshilltari i ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, sot kanë rënë në prangat e Policisë së Kosovës, pasi po dyshohen për korrupsion gjatë kohës kur ishin pjesë e udhëheqësisë në Komunën e Mitrovicës.
Përmes një komunikate për media, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, njofton se Mujkës dhe Muzliukajt tashmë u është shqiptuar masa e ndalimit policor dhe ata janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
“Prokuroria Speciale njofton se ekziston dyshimi i bazuar mirë se dy personat të ndaluar, të pandehurit F.M dhe H.M, në cilësi të personave zyrtarë, me dashje kanë shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore për vete apo për tjetrin, kanë tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare dhe nuk i kanë respektuar detyrat dhe përgjegjësitë e tyre që të ushtrojnë funksionin e tyre në bazë të ligjit. Me këto veprime të njëjtit dyshohet se janë përfshirë në kryerjen e veprës penale ‘’Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar’’, e sanksionuar me nenin 414 të Kodit Penal të Republikë së Kosovës. Me aktvendim të Prokurorisë Speciale të njëjtit dërgohen në mbajtje për 48 orë”, thuhet në njoftim.