Oficeri britanik vazhdon edhe sot dëshminë e tij në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Oficeri britanik vazhdon edhe sot dëshminë e tij në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Francis Ladwidge, oficeri britanik që shërbeu në Kosovë, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve në Dhomat e Specializuara (DhSK) në Hagë po vazhdon dëshminë e tij edhe gjatë seancës së të mërkurës.

I njëjti është në cilësinë e dëshmitarit të 14-të me radhë në këtë çështje gjyqësore e cila ka vazhduar të përgjigjet në pyetjet e mbrojtësit të Thaçit, avokatit Gregory Kehoe, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.

Ndryshe i njëjti është përgjigjur gjatë seancës së djeshme në pyetjet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe ka filluar të përgjigjet në pyetjet e avokatit Kehoe.

Paraprakisht, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Charles Smith ka kërkuar nga palët dhe dëshmitari që të flitet ngadalë në mënyrë që të mund të përkthehet dhe të mbahet në rregull transkripti.

Tutje ka deklaruar se përveç se i është miratuar kërkesa e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) për zgjatjen e numrit të fjalëve për një kërkesë të prokurorisë, pranohet  shtimi i numrit të fjalëve edhe për përgjigjet e mbrojtjes për kërkesën e ZPS-së.

Më tej, trupi gjykues me kërkesë të mbrojtësit të viktimave ka ri-urdhëruar klasifikimin si publik të urdhrit gojor të bërë në seancë private për kërkesën për marrje në pyetje të një dëshmitari, ku kanë urdhëruar redaktimin e emrit të viktimës.

Po ashtu, është urdhëruar ZPS-ja që deri më 28 korrik të komunikojë se cilët janë pesë dëshmitarët e radhës kurse ka urdhëruar mbrojtjen të rishikojë kohën për kundër-pyetje për këta pesë dëshmitarë deri më 4 gusht.

‘‘Koha e vlerësuar për mbrojtjen mund të cenojë shpejtësinë e procesit gjyqësor dhe vlerësimi i saktë i kundër-pyetjeve është e rëndësishme’’, tha gjykatësi.

Në vazhdim është dhënë urdhër me gojë lidhur me kundërshtimet për pyetjet që bën trupi gjykues.

Ai tha se rregulloja nuk parasheh mundësinë e kundërshtimeve të pyetjeve gjyqësore por se trupi gjykues mund të pranojë kundërshtimet e tilla që kjo më pas të ngritët në nivel apeli.

‘‘Kundërshtimet duhet të bëhen në përputhje me kodin e sjelljes profesionale dhe urdhrin e trupit gjykues për zhvillimin e procesit gjyqësor dhe vendimin e apelit lidhur me pyetjet gjyqësore’’, tha gjykatësi Smith.

Po ashtu sipas tij, pyetjet nuk duhet të mbajnë komente dhe se trupi gjykues do vendos për kundërshtimet për pyetjet gjyqësore.

I njëjti tha se trupi gjykues ka vlerësuar se pyetjet e mbrojtësit të Veselit gjatë ditës së djeshme kanë kaluar përtej sjelljes së duhur gjyqësore.

Ndryshe, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë të pranishëm fizikisht në sallën e gjyqit gjatë seancës së sotme.

Gjatë muajit prill ka filluar gjykimi derisa në seancën e 3 prillit, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtësi i viktimave kanë paraqitur deklarimet hyrëse dhe pas leximit të aktakuzës së ndryshuar nga ana e ZPS-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen barrë.

Më 4 prill mbrojtja e Thaçit, Veselit dhe Selimit kanë dhënë fjalën hyrëse derisa më 5 prill mbrojtja e Krasniqit ka dhënë fjalën hyrëse.

Më 11 prill ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë ku dëshmitarja e parë e mbrojtur e Prokurorisë, ka dhënë dëshminë e saj më 11 prill,  12 prill,  13 prill dhe më 17 prill.

Më 17 prill ka filluar dëgjimi i dëshmitarit të dytë, po ashtu i mbrojtur, i cili ka vazhduar dhënien e dëshmisë edhe më 18 prill, 19 prill dhe 20 prill, ku ka përfunduar dhënien e dëshmisë edhe dëshmitari i tretë, kurse më 10 maj ka filluar dhënien e dëshmisë dëshmitari i katërt, dëshmia e të cilit përfundoi më 17 maj.

Tutje, dëshmitari i pestë ka filluar dëshminë më 17 maj dhe e përfundoi më 22 maj, ku filloi dëshminë dëshmitari i gjashtë i cili përfundoi dëshminë më 23 maj, në të njëjtën ditë me dëshmitarin e shtatë.

Kurse, më 12 qershor ka filluar dëshminë e tij dëshmitari i tetë, i cili përfundoi dëshminë e tij më 14 qershor, ndërkaq me 15 qershor ka përfunduar dëshmia e  dëshmitarit i nëntë.

Më 19 qershor ka përfunduar dëshminë dëshmitari i dhjetë, në ditën ku ka filluar dëshminë dëshmitari i njëmbëdhjetë i cili e ka përfunduar dëshminë e tij më 20 qershor. E më 10 korrik ka filluar dëshminë dëshmitari i dymbëdhjetë, i cili ka përfunduar dëshminë më 11 korrik, në seancën ku ka filluar dëshminë Rrustem Mustafa, ish-komandat i zonës operative të Llapit.

Mustafa ka vazhduar dhënien e dëshminë së tij në seancën e 12, 13, 14, 17 dhe 18 korrikut.

Ndërsa dëshmitari i 14-të me radhë, Francis Ladwidge, oficeri britanez që shërbeu në Kosovë filloi dëshminë po më 18 korrik.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020./BetimipërDrejtësi

Related Articles