Prurjet e mëdha në euro kanë zhvlerësuar sërish Euron, e cila ka zbritur sot sipas kursit të Bankës Qendrore në 101 lekë, niveli më i ulët i shënuar ndonjëherë.
Duke marrë parasysh këtë trend, shumë shpejt duket se 1 euro do të këmbehet për 1 lekë në tregun e këmbimit valutor. Eksperti për çështjet ekonomike, Selami Xhepa thotë se zhvlerësimi i vazhdueshëm i euros vë nën ‘presion’ lekun, duke krijuar shqetësime për ekonominë shqiptare.
Për këtë arsye, eksperti u shpreh në “Sheshi i Dollarit” se autoritetet duhet t’i kushtojnë më shumë vëmendje kursit të këmbimit. “Trendi i rënies së euros në raport me lekun ka qenë në një trajektore rënëse prej kohësh.
Ishte e pritshme që ky trend do të përforcohej më shumë. Aktualisht kjo sasi monetare e monedhës së huaj vjen edhe për shkak të performancës pozitive të turizmit edhe pritshmërive që kemi deri në fund, një shtim të vazhdueshëm të numrit të turistëve në vend.
Ndërsa kjo konsiderohet një zhvillim pozitiv për turizmin, por vë në presion të jashtëzakonshme monedhën kombëtare duke krijuar shqetësime serioze për ekonominë, që në fakt kanë qenë prej kohësh prezente.
Siç do ta shohim edhe më vonë, edhe eksportet janë ndikuar negativisht deri më sot por edhe në vazhdimësi, efektet do të jenë shumë të ndjeshme.
Nga ana tjetër, këto zhvillime të kursit të këmbimit kanë një efekt negativ edhe mbi vetë sektorin e turizmit për shkak se të gjithë operatorët që kanë kontratat të mëparshme të lidhura me euro, fuqia blerëse e kësaj monedhe është e ulët.
Ndërkohë një rritje në vitet e ardhshme të paketave turistike për të kompensuar efektin e zhvlerësimit të monedhës, do të shoqërohet me humbje të turizmit.
Në këtë kuptim, prej kohësh kemi ngritur shqetësimin që autoritetet monetare duhet t’i kushtojnë një vëmendje më të rëndësishme kursit të këmbimit.”, theksoi eksperti.
Sipas tij, Banka Qendrore duhet të marrë në konsideratë mundësinë e ndryshimit të regjimit të këmbimit valutor duke vendosur limite për çmimin e monedhës. Gjithashtu eksperti ekonomik përmendi edhe mundësinë e zëvendësimit të lekut me euron si një monedhë e brendshme kombëtare.
“Do të shikoja edhe mundësinë e ndryshimit të regjimit të këmbimit valutor duke shkuar drejt një regjimi të menaxhuar të kursit, ku Banka Qendrore vendos disa limite dhe tavane për çmimin e monedhës. Në kontekstin e zhvillimeve aktuale, kjo është bërë një çështje serioze.
Banka Qendrore e Zvicrës, për shkak të krizës financiare 2007-2008, pjesa më e madhe e investitorëve iu adresuan frangës zvicerane si monedha më e sigurt në raport me të tjerat gjë që rrezikoi një fuqizim të jashtëzakonshëm të frangës,
dhe bëri që Banka Qendrore e Zvicrës, për të mbrojtur interesat e ekomonisë kombëtare, të vendoste një çmim dysheme mbi të cilën nuk lejohej ndryshimi i vlerës së kësaj paraje.
Jam partizan i zëvendësimit monetar dhe duhet që Shqipëria duhet të kalojë drejt përdorimit të euros si një monedhë e brendshme kombëtare duke shmangur një rrezik të madh, si ai i kursit të këmbimit.
Nga ana tjetër, për të gjithë kritikët e kësaj ideje, marrja e një monedhe të huaj imponon disiplinën e një vendi për të shmangur potencialin për kalimin në një krizë“, shtoi eksperti. Xhepa shtoi se impakti i zhvlerësimit të euros në sektorin e eksporteve do të vijojë të jetë shqetësues.
“Impakti shkon përtej eksporteve sepse e gjithë industria e brendshme prodhuese që konkurron me sektorin e importit është në një presion të jashtëzakonshëm konkurencial për shkak se importet mund të vijnë në tregun e brendshëm me një çmim shumë herë më konkurrues se prodhimi vendas.
Ç’ka do të thotë se efektet e kursit të këmbimit do të ndihen shumë më tepër edhe në vitet e tjera. Pasojë serioze që autoritetet nuk mund ta neglizhojnë.”, theksoi eksperti.
Ai gjithashtu u ndal edhe tek ecuria jashtëzakonisht pozitive e sektorit të turizmit. Ai thotë se turizmi është një ndër sektort që ‘ushqen’ ekonominë vendase por shtoi se duhet përgatitja e nevojshme infrastrukturore për të përballuar këtë ‘bum’ turistësh që pritet të rritet edhe më shumë.
“Turizmi është një nga sektorët më të rëndësishëm që ushqen ekonominë shqiptare. Politikat e zhvillimit në të ardhmen duhet ta adresojnë këtë sektor si prioritar.
Të gjithë politikat qeveritare, që nga mjedisi, menaxhimi i mbetjeve, ushqimi, bujqësia duhen shikuar në kontekstin e zhvillimit dhe promovimit të sektorit të turizmit.
Në bumin aktual që kemi, sektori i turizmit akoma nuk është përgatitur me të gjithë infrastrukturën e nevojshme për të akomoduar këtë bum kaq të fuqishëm çka mund të japë edhe efekte jo shumë pozitive në të ardhmen.
E gjithë infrastruktura e ekonomisë duhet të forcohet që të përballojë kapacitetet e shtuara të këtij sektori. Dhe për ta parë këtë sektor si makroekonomik, në kuptimin që ka në të ardhurat kombëtare, duhet parë edhe në efektin neto sepse kemi edhe dalje të turizmit.”, shtoi Xhepa./Burimi: abcnews.al