Një aksident i rëndë trafiku kishte ndodhur mes një veture dhe motoçikletë, pasditen e së hënës në Përlepnicë të Ranillugut, ku si pasojë një person kishte marrë lëndime serioze.
Viktima i cili po drejtonte motoçikletën në momentin kur u godit nga vetura, u dërgua me urgjencë në spital, mirëpo nuk ka arritur që t’i përballojë plagët e marra dhe si pasojë ka ndërruar jetë dje në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Sinjali mëson se bëhet fjalë për Arban Bislimi, 40-vjeçar.
Bislimi fillimisht ishte dërguar në Spitalin e Gjilanit, por për shkak të përkeqësimit të gjendjes së tij shëndetësore, ai u transferua më pas në QKUK.
Lajmin e hidhur për vdekjen e tij e kanë dhënë edhe familjarët përmes njoftimeve në rrjete sociale, ku kanë bërë me dije se varrimi i të ndjerit do të bëhet sot në orën 17:00 në varrezat e Dobërçanit.
Lidhur me rastin është arrestuar personi që dyshohet se shkaktoi aksidentin dhe me urdhër të prokurorit ai është dërguar në mbajtje.
Deri te aksidenti dyshohet të ketë ardhur si pasojë e pakujdesisë së shoferit të veturës, i cili ka kaluar në shiritin e kundërt dhe ka goditur viktimën me motoçikletë.