Pak para njoftimit zyrtar për transferimin te Manchester Unitedi, Andre Onana ka shkruar një mesazh emocional për tifozët e Interit.
Djajtë e Kuq të enjten mbrëma konfirmuan se i kanë siguruar shërbimet e 27-vjeçarit, të cilin e transferuan nga Nerazzurrët.
Portieri ka nënshkruar kontratë pesëvjeçare në Old Trafford, me opsionin për ta vazhduar edhe për një vit tjetër.
“Asnjëherë nuk e kam imagjinuar se lamtumira do të jetë aq e vështirë. Para një viti u bëra një ‘Nerazzurro’, shumë njerëz më thanë se ky klub dhe ky qytet kanë diçka të veçantë. Tash mund ta konfirmoj”.
“Në ditët e para si një ‘Nerazzurro’ e kuptova se kjo është një familje, se të qenit interist është një mënyrë e të kuptuarit të jetës”.
“U dashurova me San Siron, La Curva dhe qytetin. Tash rrethanat janë të duhura që unë të nis një fillim të ri në Mançester. Po e bëj me entuziazëm të madh, por duke e ditur se do të më mungoni. Mirënjohje e përjetshme për të gjithë interistët. Ju e bëni këtë klub të madh”, ka thënë mes tjerash Onana.