Komuna e Malishevës ka njoftuar se stuhia e shoqëruar me breshër gjatë së dielës, ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në një pjesë të kësaj komune.
Njoftohet se si pasojë e stuhisë, janë dëmtuar në masë të madhe kulturat bujqësore, serrat dhe të mirat tjera materiale, por fatbardhësisht pa dëme në njerëz.
Për të parë nga afër dëmet e shkaktuara, drejtori i Drejtorisë për Bujqësi, Sylë Dukolli, e ka vizituar fshatin Plloqicë, ku edhe janë shënuar dëmet më të mëdha nga stuhia.
Përmes një komunikate për media njoftohet se Dukolli, ka shprehur keqardhjen për dëmet që u janë shkaktuar bujqve.
Dukolli, bashkë me zyrtarët përgjegjës të drejtorisë për bujqësi, i kanë vizituar disa nga fermerët e dëmtuar, përfshirë edhe familjen e Shkumbin Malokut, të cilit breshëri e stuhia, i ka dëmtuar rreth 80 ari serrë dhe Hashim Malokun, të cilit gjithashtu stuhia, ka dëmtuar në tërësi serrën.
“Përveç dëmeve të rënda në serrat e tyre, në tokë shihej breshëri i rënë gjatë ditës së djeshme, e që ende nuk është shkrirë dhe krahas serrave dhe pemëve, breshëri e stuhia i ka dëmtuar në masë të madhe edhe kulturat tjera, si grurin e pa korrur dhe misrin”, thuhet në njoftim. / Gazeta Enigma.