Janë hapur dyert e Kuvendit të Kosovës për pritjen e bashkatdhetarëve. Ata kanë mundësi që të vizitojnë hapësirat e institucionit, ku burojnë ligjet në përmirësim të jetës së tyre dhe familjarëve që kanë në Kosovë.
Ata po priten nga deputetë dhe zyrtarë të kuvendit, të cilët informojnë rreth punës së këtij institucioni.
I riu që po studion mjekësinë në Itali, synon që një ditë të zë njërën nga ulëset e deputetëve në sallë plenare. Albion Krasniqi, ka qenë nga të parët që ka vizituar sot kuvendin, ku tha se shpreson që shpejt të kthehet për të kontribuar në Kosovë.
Po ashtu, ai shpreh pakënaqësitë e tij në lidhje me punën e qeverisë dhe kuvendit. Ai tha se nuk po punohet mjaftueshëm as për diasporën.
Për Ismail Tahirin, i cili jeton në qytetin e Cyrihit në Zvicër, është hera e parë që po sheh nga afër hapësirat e parlamentit.
Tahiri i cili jeton tash e 34 vjet larg Kosovës, u shpreh se është i kënaqur me institucionet e vendit. Po ashtu, pati edhe një kërkesë për partitë opozitare, njofton KP.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Dehari tha se bashkatdhetarët që vijnë për të vizituar kuvendin, ju intereson pamja e sallës ku mbahen seancat dhe ulëset e deputetëve.
Edhe deputeti Enver Dugolli theksoi se mërgimtarët janë aktiv sa i përket politikës në Kosovë. Sipas tij, diaspora vazhdon të jetë optimiste në të arriturat e qeverisë dhe në përmbushjen e premtimeve.
Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosjes, siç tha Dugolli, gjatë të mërkurës do të organizojë një pritje për bashkatdhetarët.
Sipas tij, të rinjtë nga Kosova po avancojnë në forma të ndryshme dhe janë në pozita të larta menaxheriale.