Pas largimit të përkohshëm të vëmendjes nga Asociacioni, ai u rikthye si temë në Senatin amerikan, ku emisari Escobar tha se SHBA-ja do të bënte një fushatë globale për njohjen e Kosovës, nëse ajo i plotëson zotimet e saj të marrëveshjes, përfshirë Asociacionin. Kryeministri Kurti një javë më vonë i tha një gazete kroate se është i gatshëm t’i zbatojë të gjitha pikat e marrëveshjes.
Shumëkush këtë e komentoi, si gatishmëri, për ta bërë më në fund Asociacionin që po e konfronton me Amerikën. Por, si e shohin këtë dy njohësit e zhvillimeve politike Shkëlzen Gashi dhe Belgzim Kamberi?
Kryeministri Albin Kurti, i pyetur për nëse për të janë të pranueshme 11 pikat e marrëveshjes me Serbinë, ka thënë “Sigurisht që janë. Dua zbatimin e të gjitha atyre pikave, pa kushte, në plotni dhe sa më shpejt”. Pas kësaj përgjigje, ai është pyetur nëse kjo nënkuptonte zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Neni 7 flet për vetëmenaxhimin e komunitetit serb, i cili lidhet me nenin 10, i cili thotë se të gjitha marrëveshjet e mëparshme, të cilat janë të vlefshme dhe detyruese, duhet të zbatohen plotësisht. Kemi 39 marrëveshje të tilla. Dy prej tyre i referohen asociacionit të komunave me shumicë serbe nga viti 2013 dhe 2015. Unë kam thënë siç e shoh, jam gati për atë që komuniteti serb në Kosovë të organizohet më mirë për të marrë sa më shumë shërbime publike cilësore dhe që të respektohen të gjitha të drejtat e tyre, të cilat janë mjaft të gjera sipas planit të Ahtisarit, por e gjithë kjo duhet të jetë brenda Kushtetutës së Republikës së Kosovës, brenda vendimit të Gjykatës Kushtetuese të saj dhe gjithashtu në përputhje me letrën e Federica Mogherinit, e cila i ishte dërguar ish-kryeministrit të Kosovës, Mustafa, në të cilën shkruan se ai asociacion nuk mund të ketë pushtet ekzekutiv apo të përfaqësojë nivelin e tretë të qeverisjes” tha Kurti për gazetën kroate ‘Vecernji list’.
Kryeministri u kujdes kësaj here ta vecojë edhe garancinë amerikane që Escobar e bëri në deklaratën hyrëse gjatë dëshmisë në Senat.
“Por në të njëjtën kohë kemi edhe qëndrimin e qeverisë amerikane, i cili është publikuar në një tekst në të cilin shkruhet se asociacioni duhet të jetë një koordinim i kompetencave ekzistuese që kanë komunat”, shtoi ai.
Ndonëse Kurti në krye të herës thotë se do zbatimin e pikave të marrëveshjes për normalizim me Serbinë “pa kushte”, analisti Shkëlzen Gashi, thotë se në fakt Kurti nuk po shpreh gatishmëri të pakushtëzuar për themelimin e Asociacionit.
“Kryeministri i Kosovës nuk po shprehë gatishmëri që ta themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Sërbe pa kushte. Përkundrazi”, ka thënë Gashi për Gazetën Express.
Sipas ish-Këshilltarit të tij, Kurti po thotë që “për zbatimin e marrëveshjes së nënshkruar në Bruksel dhe aneksit të saj të nënshkruar në Ohër, duhen plotësuar disa kushte: të zbatohen të gjitha marrëveshjet e nënshkruara deri më tani; sa i takon themelimit të asociacionit duhen marrë parasysh Kushtetuta e Republikës së Kosovës, vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës përkitazi me marrëveshjet e vitit 2013 përkatësisht 2015; letra e përfaqësueses së BE-së, Frederica Mogerini, dërguar atëherë Kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa, si dhe qëndrimet e ndërmjetësve amerikanë Escobar e Chollet, të shprehura në shkrimin e tyre të përbashkët”.
Përgjatë këtij viti nga Kryeministri Kurti dhe nga Lëvizja Vetëvendosje janë dhënë sinjale të ndryshme rreth Asociacionit, themelimi i të cilit herë është mohuar kategorikisht e herë është pohuar.
Belgzim Kamberi nga Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari”, thotë se Kryeministri e ka pranuar marrëveshjen për themelimin e Asociacionit me pranimin e marrëveshjes për normalizimin e raporteve me Serbinë, në Bruksel, më 17 shkurt.
“Kryeministri Kurti ka pranuar ta themelojë Asociacionin kur e ka pranuar Marrëveshjen e 27 shkurtit, si propozim i BE-së me iniciativën e Francës dhe Gjermanisë, dhe më pas aneksin implementues që u bë pjesë integrale nga takimi i Ohrit i 18 marsit. Vet ai e ka pranuar se në atë tekst ka Asociacion. E sot përsërit vazhdimisht se ‘duhet zbatim të plotë dhe sa më parë të atij teksti të qartë’”, ka thënë Kamberi për Gazetën Express.
Përkundër se ndërkombëtarët i kanë kërkuar Kurtit një draft-statut të Asociacionit, ai edhe më tutje nuk e ka shkruar një të tillë. Deri tani megjithatë janë hartuar disa draft-statute në formë të propozimeve, ndërsa në Bruksel është shpalosur drafti i Ekipit Menaxhues, që zyrtarisht derivon nga Qeveria e Kosovës, por përbëhet nga serbë, por faktikisht Qeveria e kundërshton punën e këtij ekipi.
Sipas Kamberit, Kurti ndonëse e ka pranuar Asociacionin, po fiton kohë duke mos shkruar një draft-statut.
“Kryeministri edhe ka pranuar ta themelojë Asociacionin, edhe tash nuk propozon draft-statut tjetër nga ai i Ekipi Menaxhues, duke tentuar me gjasë të fitojë kohë, apo edhe ta ndryshojë ‘kornizën’ e Asociacionit, nëpërmjet ‘modelit kroat’, të cilin e ka paraqitur si draft-vizion”.
“Ka një konsensus ndërkombëtar që korniza brenda së cilës duhet krijuar Asociacioni janë marrëveshjet e vitit 2013, 2015, vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe letra e Federica Mogherinit, pa e harruar qëndrimin amerikan se Asociacioni duhet të jetë një koordinim i kompetencave ekzistuese që kanë komunat. Këto i ka listuar edhe vet Kurti në intervistën e tij të fundit për shtypin kroat” thotë Kamberi.
“Asgjë nuk e ndalon Kryeministrin Kurti të përfshijë elemente nga draft-vizioni i tij në një draft-statut. Është e qartë se synohet që Asociacioni i nesërm të jetë brenda kornizës së marrëveshjeve të viteve 2013-2015 dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese së Kosovës, që nënkupton më shumë se ‘modeli kroat’ i Qeverisë Kurti dhe më pak se kërkesat e Presidentit të Serbisë dhe Listës së tij Serbe në Kosovë”, ka shtuar tutje Kamberi.
Një javë më parë, Escobar, i cili është i caktuar nga Departamenti amerikan i Shtetit për Ballkanin Perëndimor, tha se Kosova dhe Serbia duhet të angazhohen t’i plotësojnë obligimet e tyre “pa parakushte”.
“Marrëveshja i kërkon Serbisë që ta njohë sovranitetin e Kosovës dhe integritetin e saj territorial. T’ia njohë simbolet kombëtare, flamurin, dokumentet qeveritare, diplomat, targat e makinave dhe ia ndalon Serbisë që ta bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Kosovës i kërkohet që të zbatojë obligimin që e ka për formim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ne besojmë që të dyja vendet duhet të angazhohen menjëherë në këto aspekte, pa parakushte. Duhet të nisin ta kryejnë pjesën e tyre”, tha Escobar.
Kjo marrëveshje, Escobar tha se ia ka ofruar SHBA-së “mundësinë më të madhe në 15 vjetët e fundit” që të bashkëpunojë me Qeverinë e Kosovës që të niset “jo vetëm një fushatë europiane e njohjeve, por një fushatë globale e njohjeve”.